Institucionet evropiane paralajmërojnë se vonesat po e dëmtojnë stabilitetin politik dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës, në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Bashkimi Evropian po i përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, sidomos ngërçin institucional që është krijuar pas mosformimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja, situatë e cila e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të caktuara për 28 dhjetor.
Në prag të këtyre zgjedhjeve, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile dhe plotësisht funksionale.
“Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri që është plotësisht funksionale si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Kosova nuk mund të përballojë të humbasë më shumë kohë. Ashtu siç tha ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, gjatë vizitës së tij në Prishtinë muajin e kaluar, formimi i një qeverie stabile është me rëndësi jetike. Evropa po e vëzhgon këtë nga afër”, thuhet në reagim.
Sipas institucioneve evropiane, mungesa e institucioneve funksionale ka krijuar një situatë të brishtë politike dhe institucionale, e cila po ndikon drejtpërdrejt në proceset e brendshme dhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Zyrtarë të SHBA-së dhe BE-së kanë përsëritur disa herë se çdo vonesë në krijimin e qeverisë dëmton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe aftësinë për të marrë vendime strategjike, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare dhe për të avancuar drejt integrimit evropian.






