Dy ditë më parë, Lutfi Haziri njoftoi vdekjen e vëllait të tij, Bedri Haziri. Por vetëm ditë më parë, para se ai të ndërronte jetë, ish-bashkëshortja e të ndjerit, Ardita Hasani, dhe djali i tyre, e kishin denoncuar rastin në polici, duke hedhur akuza të rënda ndaj deputetin, Lutfi Haziri.
Sipas kallëzimit të tyre, ata dyshojnë se deputeti ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e divorcit, duke pretenduar se qëllimi ka qenë që pasuria e Bedri Hazirit, në rast vdekjeje, të kalonte tek ai, ndërsa Ardita Hasani të mos merrte hisen që i takon ligjërisht.
Ardita ka deklaruar se ish-bashkëshorti i saj është ndikuar dhe për këtë arsye kishte vendosur ta largonte nga shtëpia dhe të kërkonte divorc pas 27 viteve martesë.
Sot, Ardita Hasani Haziri ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku thotë se asaj nuk iu lejua të mbante një fjalë lamtumire në ceremoninë mortore të ish-bashkëshortit.
Ajo e cilëson këtë si “padrejtësinë më të rëndë” në një nga ditët më të dhimbshme të jetës së saj.
“U pengova të flisja, u hesht zëri im… në një ceremoni që duhej të ishte e shenjtë, m’u mohua një e drejtë njerëzore dhe morale: t’i jap burrit tim përshëndetjen që i takonte,” shkruan ajo.
Ardita shton se edhe pse u ndalua të fliste, zëri i saj nuk do të shuhet dhe se lamtumira për të ndjerin do të jetojë përgjithmonë në zemrën e saj.

Lutfi Haziri ka reaguar pas pretendimeve të bëra nga ish-kunata dhe nipi i tij, duke i mohuar ato kategorikisht.
Në një deklaratë për Insajderin, ai ka deklaronte se nuk ka qenë i përfshirë në procesin e divorcit të vëllait dhe se për familjen, prioritet mbetej shëndeti i tij.






