Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se një bashkëpunim mes Nismës dhe Partisë Demokratike të Kosovës është plotësisht i mundshëm, nëse ekziston vullneti politik nga të dyja palët.
Ai tha se marrëveshja do të mund të arrihej “brenda një minute”, duke shtuar se Nisma dhe PDK ndajnë të njëjtat ideale dhe se themeluesit e Nismës kanë qenë po ashtu themelues të PDK-së.
“Mendoj që për të ndërtu diçka të përbashkët unë dhe PDK na duhet vetëm një minut, sepse themeluesit e Nismës ishin edhe themelues të PDK-së, kemi të njëjtat ideale, të njëjtat qëndrime”, u shpreh Limaj në një intervistë në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini.
Ai tha se nga shumë drejtime ka marrë kërkesa për një bashkim të forcave politike me PDK-në, duke përfshirë figura të PDK-së, ish-struktura të UÇK-së, deputetë dhe qytetarë të shumtë.
“Dua ta shpreh falënderimin tim për qindra e mijëra njerëzit, nga themelues të PDK-së, deputetë aktualë, prirës të UÇK-së e qytetarë që kanë kërkuar bashkëpunim me PDK-në. Unë nuk kam mundur të mos e dëgjoj këtë kërkesë”, tha ai, duke shtuar se është “krejtësisht i qetë” me siglën e PDK-së, pasi vetë ka qenë ndër ata që kanë propozuar emrin “Partia Demokratike e Kosovës”.
Limaj tha se beson që edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, po përballet me të njëjtat kërkesa nga mbështetësit e partisë së tij.






