Fadil Fazliu i cili po mbahet në paraburgim nën akuzën se ka qenë i përfshirë në veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka kërkuar që të lirohet me kusht duke ofruar një dorëzani prej 40 mijë eurosh.
Një shumë kaq të madhe, njëjtë kohë më parë e kishte ofruar edhe i bashkakuzuari i tij, Isni Kilaj.
Sipas mbrojtjes së Fazliut, gjykimi nuk do të fillojë më 15 dhjetor dhe ka pak gjasa që të fillojë përpara marsit 2026.
Mbrojtja gjithashtu thotë se ka përfunduar faza e paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe mbrojtja në çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte dhe rrjedhimisht çdo rrezik për pengim është zvogëluar ndjeshëm.
Sipas mbrojtjes, sa i përket rrezikut të arratisjes, Fazliu s’ka pozitë politike dhe s’ka pasaportë shqiptare, raporton “Betimi për Drejtësi”. Andaj, mbrojtja kishte sugjeruar se si kusht për lirim të përkohshëm të vendoset moslargimi i Fazliut nga Prishtina, të dorëzojë të gjitha dokumentet e udhëtimit dhe të ofrojë një dorëzani në shumën prej 40 mijë eurove.
Ndërsa, sa i përket rrezikut që ai t’i pengojë procedurat, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë që tregon se Fazliu ka manifestuar sjellje të tillë.
Rrjedhimisht, mbrojtja ka kërkuar që Fazliu të lirohet deri kur të fillojë gjykimi në këtë rast.






