Një incident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të 3 dhjetorit në rrugën “Papa Gjon Pali” në Prishtinë, ku është raportuar një rast i kanosjes dhe dëmtimit të pronës.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, rreth orës 03:00, policia është njoftuar për një konflikt familjar midis bashkëshortëve V. K dhe L. K . Viktima ka deklaruar se është kanosur nga bashkëshortja e tij me fjalët “kom me ta djeg shpinë”, si dhe është ofenduar me shprehje të ndryshme, duke theksuar se dhuna psikologjike ndaj tij është e vazhdueshme.
Pas intervistimit të palëve dhe kompletimit të procedurave fillestare, situata është përshkallëzuar sërish.
Rreth orës 11:50, e dyshuara ka shkuar në lokalin e bashkëshortit në Hajvali, ku ka thyer disa shishe alkooli dhe me një gur ka goditur veturën e tij, duke vazhduar me kanosje verbale.
Palët janë shoqëruar përsëri në Stacionin Policor të Prishtinës, ku janë marrë deklarata shtesë. Njësia e dhunës në familje ka konsultuar Prokuroren kujdestare për këtë lëmi, e cila ka udhëzuar që rasti të iniciohet për “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim të pronës”, ndërsa ndaj të dyshuarës ka lëshuar vendim për ndalim.
E dyshuara është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.






