Nënkryetarja e NISMA Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar sot pas kërkesave dhe interesimit të shtuar nga anëtarë e simpatizantë të subjektit lidhur me një bashkim të mundshëm me një parti tjetër me të cilën Nisma ka ndarë vlera të përbashkëta ndër vite.
Izmaku ka konfirmuar se një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur, duke theksuar se Nisma do të vazhdojë të ecë përpara si forcë e pavarur politike.
Sipas saj, subjekti do të mbetet i përkushtuar ndaj rrugës së vet politike dhe ndaj qytetarëve që e kanë mbështetur ndër vite, nën lidershipin e Fatmir Limajt. Ajo ka nënvizuar se për Nismën, politika është mbi të gjitha përgjegjësi dhe shërbim publik, jo arrogancë apo krenari e tepruar.
Izmaku u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të mobilizohen për garën e ardhshme zgjedhore, duke theksuar se Nisma mbetet forcë politike me dinjitet, sinqeritet dhe vizion të qartë për vendin. “Gara fillon. Nisma vazhdon me ju, nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj”, përfundoi ajo.






