Humbja që Kosova i shkaktoi Sllovenisë në Lubjanë ishte fatale për selektorin Matjaz Kek, pasi Federata e Futbollit të Sllovenisë vendos të mos e vazhdojë më bashkëpunimin me të.
Lajmi për ndarjen e palëve u bë i ditur të hënën, ndërsa tani vetë Kek, në një intervistë për mediumin e njohur kroat “Sportske Novosti”, ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovën.
“Tani pasi Sllovenia nuk është në Botëror, nuk kam probleme se për kë të bëj tifo në Kampionatin Botëror.
Dëshiroj që edhe Bosnjë-Hercegovina të kualifikohet, edhe Kosova le të kalojë”, ka deklaruar ai.
Gazetari kroat ia kujtoi se Kosova e eliminoi Slloveninë nga gara për Botërorin dhe trajneri e pranoi faktin.
“Po, është e pakëndshme që na ka mposhtur 2:0 në Lubjanë.
Para kësaj kemi luajtur në Prishtinë ndeshjen më të mirë dhe është dashur të fitojmë”.
Kek vlerësoi nivelin e Kosovës dhe mënyrën se si funksionon ekipi.
“Më ka treguar se në cilën mënyrë mund të funksionojnë vendet e vogla, me bazë më të vogël të lojtarëve por me kualitet shumë të mirë. Ka fituar shumë lojtarë që luajnë në Gjermani, Spanjë”.
“Kur i ke 7-8 të tillë, formon ekip shumë të mirë. Për mua ishte dëshpëruese, por në anën tjetër e pranoj që te Kosova ishin më të mirë”, ka thënë Kek.






