Anëtari i AAK’së, Pal Lekaj, ka reaguar pasi u bë e ditur se Partia Demokristiane do të jetë pjesë e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor të këtij viti.
Lekaj me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se vlerat e kësaj partie janë të orientimit të djathtë ideologjik, ku ka akuzuar se është kthyer në “degë të së majtës”.
“Jam më se i bindur se udhëheqja e kësaj dege lokale as nuk i di e as nuk i kupton konceptet e drejtimeve politike, sepse pikërisht kjo udhëheqje e ka shkatërruar një parti që ishte simbol i vendit në shumë procese të rëndësishme. Në krye të saj erdhën njerëz që nuk ishin pjesë e asnjë procesi të mirë për vendin, dhe këtë e dëshmuan edhe me koalicionin me të majtën ekstreme në Kosovë, duke treguar se për ta kanë rëndësi vetëm interesat e një grupi klanor, që po e çon një nga partitë e para shqiptare në Kosovë drejt fundosjes”, ka deklaruar Lekaj.
“Kapitullimi i tyre është sot dhe kjo do të vërtetohet më 28 dhjetor”, ka përmbyllur ai.






