Kanë kaluar plot 365 ditë që nga sulmi mbi kanalin kryesor të ujësjellësit Ibër-Lepenc në fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit, dhe ende nuk janë zbuluar plotësisht autorët e ngjarjes.
Megjithatë, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe hetimet nuk kanë përfunduar.
Incidenti ndodhi më 29 nëntor 2024 dhe u cilësua nga autoritetet e Kosovës si një akt terrorist.
Qeveria e Kosovës e akuzoi Serbinë për organizimin e shpërthimit, por Beogradi i mohoi këto akuza.
Autoritetet ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kanë deklaruar se deri më tani nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt Beogradin me ngjarjen. Agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) janë përfshirë në hetimet që po zhvillohen.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se rasti vazhdon të hetohet.
Autoritetet kanë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për lidhje me shpërthimin dhe kanë sekuestruar armë dhe eksplozivë.
Megjithatë, deri më tani vetëm Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq janë dërguar në paraburgim.
Dëmi material nga shpërthimi është vlerësuar rreth 400 mijë euro.






