Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka ndezur alarmin më serioz të viteve të fundit: Rafineria e Naftës në Pançevë po punon në “cirkulacion të ngrohtë”, praktikisht në prag të fikjes, dhe Serbia ka vetëm katër ditë për të marrë një licencë shpëtimi nga autoritetet amerikane.
Sanksionet e SHBA-së, të vendosura ndaj Naftna Industrija Srbije (NIS) që prej 9 tetorit, kanë futur Beogradin në një spirale presioni ku goditja nuk kufizohet te energjia: kërcënohen bankat, zinxhiri i furnizimit, transporti, shëndetësia dhe siguria ekonomike e gjithë vendit.
Vuçiç e pranoi publikisht se nëse licenca nuk jepet, Serbia përballet me mbylljen e rafinerisë; një skenar që nuk është teknik, por politik, dhe që vjen si pasojë e lidhjeve energjetike të Beogradit me Moskën.
Kriza e Serbisë është një paralajmërim i qartë për rajonin. Në Ballkan, ku tregjet e karburanteve janë të ndërvarura, një fikje e rafinerisë së Pançevës do të sillte rritje çmimesh, mungesa furnizimesh dhe efekt domino edhe në vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë.
Mesazhi i Washington-it është i hapur: Serbia ose rreshtohet me Perëndimin, ose do përballet me pasoja sistemike.
Një krizë e madhe energjetike në Beograd mund të rikthejë tensione ekonomike në të gjithë rajonin, dhe në këtë lojë, stabiliteti i furnizimeve shqiptare duhet të jetë prioritet kombëtar.






