Më 10 dhjetor nis procesi gjyqësor kundër ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve të dyshuar për aferën e Rezervës Shtetërore.
Paparaci ka mësuar se seanca ndaj Hajdarit, dy zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe gastronomit Ridvan Muharremi është caktuar të mbahet më 10 dhjetor.
Palët në proces janë njoftuar gjatë kësaj jave për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor për skandalin me Rezervën Shtetërore.
Roezta Hajdari dyshohet për kryerjen e veprave penale të keqpërdorimit të detyrës dhe zbulimit të fshehtësisë zyrtare.
Për të njëjtat vepra penale dyshohen edhe zyrtarët e saj në MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për bashkëkryerje në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës.
Prokuroria Speciale, javën e shkuar dorëzoi në gjykatë aktakuzën ndaj Hajdarit dhe të tjerëve. Ata, dyshohen se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar afër 3 milionë euro dëm buxhetit të shtetit, si dhe kanë zbuluar vendndodhjen e Rezervës Shtetërore.









