Përplasja për kompaninë strategjike të naftës ndez konfliktin mes ministrave në Beograd, ndërsa Uashingtoni rrit presionin për t’i prerë Beogradit lidhjet me Moskën në sektorin energjetik.
Qeveria e Serbisë zhvilloi një mbledhje urgjente këtë të shtunë, pas rritjes së presionit amerikan për ndryshimin e strukturës së pronësisë së kompanisë shtetërore të energjisë NIS a.d., ku aksioneri kryesor vijon të jetë kompania ruse Gazprom Neft. Kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara i ka vënë institucionet serbe përballë një krize serioze politike dhe energjetike.

Rafinerija e NISH-it
Ministrja e Energjisë, Dubravka Đedović Handanović, deklaroi se “ka marrë një mesazh të qartë nga SHBA” dhe se Serbia duhet të marrë “vendime të vështira”, duke nënkuptuar shkëputjen nga kontrolli rus në sektorin strategjik të energjisë.
Ajo shprehu gatishmërinë për të dhënë dorëheqje nëse qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë për të nxjerrë aksionerët rusë nga bordi drejtues i NIS.
Sipas saj, nuk është më e qëndrueshme të drejtojë një ministri energjetike nën sanksione të drejtpërdrejta nga Perëndimi.

Ministrja e Energjisë, Dubravka Đedović Handanović
Presidenti Aleksandar Vučić e konfirmoi krizën në horizont dhe paralajmëroi se vendi mund të detyrohet të aktivizojë rezervat strategjike të ushqimit dhe karburantit. Ai nuk përjashtoi mundësinë e angazhimit të ushtrisë për të ndihmuar në rast të një ndërprerjeje masive të furnizimit.
Sipas tij, problemi nuk ka të bëjë vetëm me sanksionet, por me një presion të sinkronizuar gjeopolitik që synon ta shkëpusë Serbinë nga ndikimi rus.
Rreziku kryesor vjen nga bllokimi i rafinerisë së Pançevës, që është nyja kryesore e prodhimit të karburantit në vend. Një ndalim i funksionimit të saj do të krijonte mungesa të menjëhershme në tregun vendas dhe do të prekte gjithashtu edhe vendet fqinje që furnizohen përmes rrjeteve të NIS. Ministri i Financave, Siniša Mali, pranoi se Serbia ndodhet në një moment kur nuk ka më hapësirë për manovrim neutral. “Nuk ekziston alternativë tjetër përveçse të mbrojmë interesin kombëtar,” tha ai, duke nënkuptuar se mbajtja e kapitalit rus në sektorin energjetik përbën rrezik për të ardhmen e vendit.
Kërkesa e SHBA-së për të përjashtuar kapitalin rus nga NIS është pjesë e një fushate më të gjerë për të de-rusifikuar sektorët strategjikë në Ballkanin Perëndimor. Sipas burimeve të medias serbe, mesazhi i ardhur nga Uashingtoni nuk është këshillimor, por ultimativ: nëse Serbia nuk ndan rrugët me aksionerët rusë të NIS, do të përballet me pasoja të drejtpërdrejta financiare dhe diplomatike.
Kjo situatë krijon implikime të drejtpërdrejta edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Krizat e përsëritura në sektorin e energjisë në Serbi mund të shkaktojnë destabilitet zinxhir në tregjet rajonale dhe të komplikojnë më tej bashkëpunimet në projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe tregtare. Për më tepër, vendimi që Serbia do të marrë ndaj NIS do të shërbejë si test për pozicionimin e saj gjeopolitik midis Rusisë dhe Perëndimit, me pasoja afatgjata për ekuilibrat strategjikë në Ballkan.
Përballë këtij presioni, qeveria serbe pritet të japë sinjale të qarta në ditët në vijim. Nëse Beogradi refuzon të heqë dorë nga aksionerët rusë, rrezikon jo vetëm izolim diplomatik, por edhe një krizë të thellë energjetike që mund të minojë stabilitetin e brendshëm. Nëse pranon kërkesat e Uashingtonit, do të duhet të përballet me hakmarrje të mundshme nga Moska dhe me sfida të brendshme politike, duke përfshirë edhe trazira të mundshme në rrugë.








