Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Koretishtë të komunës së Novobërdës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se bëhet fjalë për një 36-vjeçar.
“Me datën 12.11.2025, rreth orës 12:30, kemi pranuar informacion se në fshatin Koretishtë të komunës së Novobërdës, nga familjarët në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete një person mashkull, i vitit të lindjes 1989”, tha Osmani.
Ai shtoi se njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar se personi është pa shenja jete.
“Hetimet lidhur me ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rasti janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetime Rajonale në Gjilan, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, tha ai, duke shtuar se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.









