Mjaltin e përdorim shpesh për të ëmbëlsuar ushqime apo pije, por edhe si një mënyrë natyrale për t’i dhënë shije ushqimeve. Ai është përdorur prej shekujsh jo vetëm për shijen e mirë, por edhe për përfitimet e mundshme shëndetësore.
Por, a është vërtet i shëndetshëm mjalti? Dhe a mund ta konsumojnë njerëzit me diabet?
Sipas dietologëve, mjalti ka anët e mira dhe të këqija. Në sasi të moderuar, ai mund të ndihmojë me energjinë, shëndetin e zemrës e të zorrëve, por nëse e tepron, mund të rrisë nivelin e sheqerit në gjak dhe rrezikun për diabet. Ja çfarë mund të ndodhë kur e konsumon çdo ditë:
Do kesh më shumë energji
Mjalti përmban glukozë dhe fruktozë – sheqerna të thjeshtë që trupi i përthith shpejt dhe të japin energji të menjëhershme. Kjo është e dobishme kur ndihesh i lodhur ose për sportistët që kanë nevojë për energji të shpejtë.
Do marrësh disa vitamina e minerale
Në mjaltë ka sasi të vogla kalciumi, kaliumi dhe vitaminash B. Nuk janë shumë, por çdo burim i vogël ndihmon. Disa lloje mjalti, si ai spanjoll, mund të përmbajnë minerale si zinku, bakri dhe elemente që ndihmojnë në mbrojtjen e kockave.
Ka veti kundër inflamacionit
Mjalti përmban antioksidantë, që ndihmojnë në luftimin e inflamacionit në trup. Kjo është e rëndësishme sepse shumë inflamacion mund të çojë në sëmundje të zemrës. Mjalti me ngjyrë më të errët zakonisht ka më shumë antioksidantë.
Ndihmon në shërimin e plagëve
Falë vetive antimikrobike, mjalti mund të ndihmojë në shërimin më të shpejtë të plagëve dhe djegieve të lehta, si edhe në uljen e infeksioneve dhe shenjave. Veçanërisht mjaltë manuka është studiuar për këto efekte.
Forcon sistemin imunitar
Mjalti mund të ndihmojë trupin të luftojë mikrobet, falë antioksidantëve dhe enzimave natyrale që përmban. Kështu, ndihmon në mbështetjen e përgjithshme të imunitetit.
Lehtëson dhimbjen e fytit dhe kollën
Nëse ke ftohje ose dhimbje fyti, një lugë mjaltë mund të ndihmojë në zbutjen e fytit, sepse vesh mukozën dhe ka veti antimikrobike.
Ndihmon zemrën
Antioksidantët në mjaltë mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe mbrojtjen e enëve të gjakut. Studime të vogla tregojnë se konsumimi i moderuar i mjaltit mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe kolesterolit të keq, transmeton Telegrafi.
Përmirëson shëndetin e zorrëve
Mjalti përmban prebiotikë – përbërës që ushqejnë bakteret e mira në zorrë. Kjo ndihmon në tretje më të mirë dhe në mbajtjen e një sistemi tretës të shëndetshëm.
Por kujdes!
Edhe pse mjalti ka përfitime, ai është ende një lloj sheqeri. Kështu që duhet konsumuar me masë, veçanërisht nga personat me diabet ose me rrezik për diabet.






