Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka bërë të ditur se ka inspektuar sot pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u kidnapua shtetasi i Kosovës, Milan Vukashinoviq.
Sipas Sveçlës, Serbia tregoi edhe njëherë se është një shtet agresor dhe antidemokratik pasi personit të rrëmbyer po i mohohet mbrojtja ligjore.
“Në bazë të informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe. I njejti pas plagëve të marra po trajtohet në spitalin e Nishit në Serbi.”, shkroi ai.
Ai ka bërë të ditur se Vukashinoviq, pas plagëve të marra, po trajtohet aktualisht në spitalin e Nishit në Serbi.
Tutje, ai ka shtuar se institucionet e Kosovës janë duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, të cilët do të përballen me drejtësinë.
Në fund, Sveçla ka apeluar tek bashkësia ndërkombëtare që të rrisë presionin dhe të ndërmarrë masa ndaj Serbisë, për të ndëshkuar, siç tha ai, “sjelljet kriminale e destabilizuese” dhe për të parandaluar situata të tjera që mund të nxisin tensione në rajon.






