Duresa Muharremaj, vajza e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, është punësuar në Institucionin e Avokatit të Popullit, në pozitën Zyrtare Juridik për Pranim dhe Administrim të Ankesave.
Burime të gazetës bëjnë të ditur se rasti ka ngritur dyshime për favorizim dhe konflikt interesi, pasi që Avokati i Popullit, që udhëheq këtë institucion, vjen po ashtu nga Suhareka, i njëjti qytet nga ku është edhe kryetari Muharremaj.

Për më tepër, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.
Muharremaj edhe sot mban pozitën e kryetarit të Komunës së Suharekës nga e njëjta parti, dhe më 9 nëntor do të garojë në balotazh kundër kandidatit të LDK-së për të njëjtin post.
Gazeta ka kontaktuar Avokatin e Popullit, ashtu edhe vetë Duresa Muharremajn dhe kryetarin Bali Muharremaj, për të pyetur nëse ka pasur ndonjë konflikt interesi apo ndikim në procesin e përzgjedhjes, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.
Sipas burimeve të afërta, Duresa Muharremaj i ka marrë paraprakisht pyetjet për testin me shkrim dhe intervistën, gjë që hedh edhe më shumë hije dyshimi mbi transparencën e konkursit.









