Rusia ka kapacitetin për të kryer një sulm të kufizuar ndaj territorit të NATO-s në çdo kohë, por vendimi për të vepruar do të varet nga qëndrimi i aleatëve perëndimorë, kështu ka paralajmëruar një zyrtar i lartë ushtarak gjerman.
“Nëse shikoni aftësitë aktuale dhe fuqinë luftarake të Rusisë, ajo mund të nisë një sulm të vogël ndaj territorit të NATO-s që nesër,” tha gjeneral-lejtnant Alexander Sollfrank për agjencinë e lajmeve Reuters. “Sulm të vogël, të shpejtë, të kufizuar rajonalisht, asgjë të madhe, Rusia është shumë e angazhuar në Ukrainë për më tepër.”
Sollfrank, që drejton komandën e operacioneve të përbashkëta të Gjermanisë dhe mbikëqyr planifikimin e mbrojtjes, përsëriti paralajmërimet e NATO-s se Rusia mund të ndërmarrë një sulm të gjerë ndaj aleancës me 32 vende anëtare që në vitin 2029, nëse përpjekjet e saj për armatim vazhdojnë.
Presidenti rus Vladimir Putin mohon qëllimet agresive, duke thënë se pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022 ishte një mbrojtje ndaj ambicieve ekspansioniste (të zgjerimit) të NATO-s kundër Rusisë.
Duke folur nga selia e tij, një kazermë e madhe në veri të Berlinit, Sollfrank tha se pavarësisht pengesave në Ukrainë, forcat ajrore të Rusisë ruajnë një fuqi të konsiderueshme luftarake, dhe forcat bërthamore e raketore mbeten të paprekura. Ndërsa Flota e Detit të Zi ka pësuar humbje të mëdha, flotat e tjera ruse nuk janë reduktuar.
“Forcat tokësore po pësojnë humbje, por Rusia thotë se synon të rrisë numrin total të trupave në 1.5 milionë ushtarë. Dhe Rusia ka mjaft tanke luftarake për ta bërë një sulm të kufizuar të mundshëm që nesër,” shtoi Sollfrank, pa thënë se një sulm i tillë po planifikohet aktualisht.
Sollfrank ka udhëhequr komandën e operacioneve të përbashkëta që nga themelimi i saj në vitin 2024, një lëvizje që reflekton një ndryshim të madh nga misionet si në Afganistan apo Mali, drejt mbrojtjes së territorit të NATO-s. Para se të merrte detyrën aktuale, ai drejtonte komandën logjistike të NATO-s, JSEC në qytetin jugor gjerman Ulm.
“Sulmi rus është i mundshëm”
Kohët e fundit, hyrjet e dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë kanë shtuar frikën në Perëndim për një përshkallëzim rus.
Më herët këtë vit, Berlini zbuti kufizimin kushtetues të borxhit për të përmbushur objektivin e ri të NATO-s për shpenzime ushtarake prej 3.5% të prodhimit kombëtar deri në vitin 2029, një lëvizje që do të rrisë buxhetin e mbrojtjes në rreth 160 miliardë euro nga gati 100 miliardë euro në vitin 2025.
Gjermania gjithashtu planifikon të zgjerojë forcat e saj të armatosura me 60 mijë trupa, duke e çuar numrin total të personelit ushtarak në rreth 260 mijë.
Sollfrank tha se nëse Moska do të zgjidhte të sulmonte NATO-n, kjo do të varet nga tre faktorë: fuqia ushtarake e Rusisë, përvoja e saj luftarake dhe udhëheqja.
“Këta tre faktorë më çojnë në përfundimin se një sulm rus është brenda sferës së mundësisë. Nëse do të ndodhë apo jo, varet në masë të madhe nga sjellja jonë,” shtoi ai, duke iu referuar përpjekjeve të NATO-s për parandalim.
Gjenerali vuri në dukje se taktikat e luftës hibride të Moskës, përfshirë infiltrimet me dronë, duhet të shihen si pjesë të një strategjie të ndërlidhur që përfshin edhe luftën në Ukrainë.
“Rusët e quajnë këtë luftë jo-lineare. Në doktrinën e tyre, kjo është luftë para përdorimit të armëve konvencionale. Dhe ata kërcënojnë me përdorimin e armëve bërthamore, që është luftë përmes frikësimit,” tha Sollfrank.
Qëllimi i Rusisë, shtoi ai, është të provokojë NATO-n dhe të vëzhgojë reagimin e saj, për të “nxitur pasiguri, përhapur frikë, shkaktuar dëme, spiunuar dhe testuar” qëndrueshmërinë e aleancës.








