Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gollubovc të Malishevës, ku dy vëllezër dyshohet se janë vrarë me armë zjarri nga dhëndri i familjes.
Viktimat janë identifikuar si Naim Morina, 45 vjeç, dhe Driton Morina, 32 vjeç.
I dyshuari për krimin është Astrit Isufi, nga një fshat i komunës së Drenasit, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Si ndodhi ngjarja?
Krimi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites së sotme, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e tyre të ndjerë.
Pas disa minutash, dyshohet se ai është rikthyer dhe ka hapur zjarr, duke i lënë të vdekur dy vëllezërit, njëri në vendin e ngjarjes, derisa tjetri nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve sa ishte rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.
Viktimat, dy vëllezërit Morina i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, në këtë rast nga i dyshuari Astrit Isufi, raporton KlanKosova.
Mjeku i Urgjencës së QKMF-së në Malishevë, Festim Sylejmani ka pranuar dy viktimat e vrasjes sot në fshatin Gullbovc.
Ai ka dhënë detaje nga momenti kur ka shkuar në QMF në Kijevë, duke thënë se dy viktimat kanë pasur nga dy plagë.
“Në momentin që kam shku unë, pacientin e parë që e kam parë ka qenë Naimi, e kam ekzaminu dhe i njëjti nuk ka pasë shenja jete, bebëzat i ka pasë të zgjeruara komplet, tension s’ka pasë, parametrat kanë qenë 0, dy plumba i ka pasë në pjesën e gjoksit, ndërsa pacienti i dytë edhe ai i ka pasë dy plagë”, ka thë ai.
Policia dhe Prokuroria i përvishen punës
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar se rasti është regjistruar si vrasje e dyfishtë.
“Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, ka deklaruar Elezaj.
Sipas informacioneve, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri, ndërsa policia ka kryer bastisje në një autosallon me emrin ‘Astriti’, në rrugën Komoran–Carralevë, që dyshohet se i përket të arratisurit.
I dyshuari, emër i njohur për policinë
Astrit Isufi është një emër i njohur për organet e rendit. Ai më herët ishte dyshuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë, ndërsa Isufi kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim. Ende nuk dihet saktësisht kur i është ndërprerë masa e sigurisë.
Hetimet vazhdojnë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se të gjitha njësitë e nevojshme të policisë ndodhen në terren dhe po mblidhen provat e para në vendin e ngjarjes.
“Në koordinim me prokurorin kujdestar, policia po ndërmerr veprimet e duhura për sigurimin e provave dhe lokalizimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj tragjedie familjare që ka lënë të tronditur banorët e Malishevës.









