Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar të mërkurën zyrtarët e tij më të lartë të hartojnë propozime për një mundësi testimi të armëve bërthamore, një hap që Moska nuk e ka ndërmarrë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, i tha Putinit se deklaratat dhe veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara e bëjnë të “këshillueshme të përgatiten menjëherë teste bërthamore në shkallë të gjerë”. Ai theksoi se “Novaya Zemlya” në Arktik, është vendi ideal për të tilla testime.
“Kam udhëzuar Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes… shërbimet speciale dhe agjencitë civile përkatëse të bëjnë gjithçka të mundshme për të mbledhur informacion shtesë mbi këtë çështje, ta analizojnë në Këshillin e Sigurisë dhe të bëjnë propozime të dakorduara për fillimin e punës mbi përgatitjen e testeve të armëve bërthamore”, tha Putin
Asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut, nuk ka kryer teste shpërthyese të armëve bërthamore në shekullin XXI. Analistët e sigurisë paralajmërojnë se rifillimi i testeve do të ishte destabilizues në një kohë tensioni të lartë gjeopolitik. Nëse një vend kryen një test të tillë, të tjerët pritet të ndjekin shembullin, sipas ekspertëve.
Shtetet e Bashkuara testuan deri në vitin 1992, Kina dhe Franca në 1996, ndërsa Bashkimi Sovjetik në 1990. Rusia post-sovjetike, e cila trashëgoi arsenalin bërthamor sovjetik, nuk ka kryer kurrë një test të tillë.
Së fundmi, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka urdhëruar Departamentin e Luftës të nisë testimet e armëve bërthamore. Trump ende nuk ka sqaruar nëse referohej në testime shpërthyese bërthamore apo testime të raketave me kapacitet bërthamor.
Rusia muajin e kaluar testoi raketën e saj të re bërthamore Burevestnik dhe po ashtu zhvilloi manovra nisjeje bërthamore dhe testoi raketën super-bërthamore Poseidon. Por testimi i tyre nuk përfshin shpërthim bërthamor.
Ky lëvizje duket si përgjigje direkte ndaj veprimeve të Trump dhe vë botën nën frikën e një përplasjeje bërthamore globale.








