Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë.
“Qëllimi është të shmangen zgjedhjet. Qytetarët kanë humbuar mjaftueshëm”, tha ajo në konferencë për media.
Këtë vendim, Osmani e mori pas takimeve që ajo ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pyetur se a i ka numrat Glauk Konjufca, ka thënë se ai i ka votat që i kishte edhe vetë Kurti, pra 56.
Tutje, i pari i Vetëvendosjes tha se nuk sheh koalicion me partitë tjera.
“Konjufca i ka që të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më datën 26 tetor në Kuvend unë i mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të merr. Dmth maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht. Unë nuk shoh as mundësi teorike për koalicion me partitë e tjera.”









