Millan Vukashinoviq është një qytetar i Republikës së Kosovës, me nacionalitet serb, i cili më 1 nëntor 2025 u plagos dhe u rrëmbye në rrethana ende të paqarta nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, një hapësirë kufitare ku patrullojnë njëkohësisht KFOR-i dhe Policia e Kosovës.
Sipas hetimeve të para të Policisë së Kosovës, disa persona të maskuar dhe të armatosur, që besohet të kenë hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia, e plagosën dhe e rrëmbyen Vukashinoviqin, duke e transportuar më pas drejt Nishit, ku ai po trajtohet në Qendrën Klinike të qytetit.
Automjeti i tij, një Lada Niva, dhe të gjitha sendet personale janë zhdukur nga vendi i ngjarjes.
Avokati i tij, Ivan Niniq, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e Vukashinoviqit është kritike. Ai ka humbur shumë gjak gjatë rrugës nga Prokuplja në Nish, ku, sipas Niniqit, “mjekët po luftojnë për jetën e tij”.
Avokati e quajti përgjegjës Vuçiqin, të cilin e pyeti se a u qëllua Vokashinoviq për vdekje të shtunën në fshatin Jelacke në Leposaviq.
“Meqenëse përgjegjësit po heshtin, duhet të parashtroj disa pyetje për A. Vuçiqin, B. Gashiqin dhe drejtorin e VBA-së, Gjuro Jovaniq: A është qëlluar për vdekje të shtunën rreth orës 16:00 në fshatin Jelakce/Leposaviq MILAN VUKASHINOVIQ (1986), të cilit po i luftojnë për jetën në Qendrën Klinike të Nishit?”, pyeti ai në X.
Nga raportimet jozyrtare, Vukashinoviqit i është larguar njëra veshkë dhe pjesë e mushkërive, ndërsa plumbi në shtyllën kurrizore ende nuk është nxjerrë. Familja e tij nuk është lejuar ta vizitojë dhe institucionet serbe nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar.
Dyshimet për përfshirje të ushtrisë serbe
Avokati Niniq ka theksuar se në operacionin e rrëmbimit kanë marrë pjesë tre automjete pa targa, që dyshohet se i përkisnin Korpusit të Tretë të Ushtrisë Serbe në Nish, dhe një numër personash të maskuar pa shenja identifikuese.
“Nuk ka asnjë deklarim zyrtar nga prokuroria apo policia serbe. Familja e Millanit ka të drejtë të dijë të vërtetën”, është shprehur ai për mediumin “Dukagjini”.
Dëshmia e ish-zëvendësministrit Radomiroviq
E në këtë ngjarje, pretendon se ishte dëshmitar edhe ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, i cili për “Betimi për Drejtësi“ ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes.
Sipas Radomiroviqit, qytetarin Millan Vukashinoviq e ka plagosur dhe rrëmbyer grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, figurë e njohur e strukturave paralele në veri të Kosovës.
Ai ka treguar se gjithçka ndodhi në momentin kur Vukashinoviq kishte shkuar për të blerë mjaltë nga një person i punësuar në Ushtrinë e Serbisë.
Sipas tij, Vukashinoviq është pjesë e institucioneve të Kosovës, dhe ky nuk është konflikti i parë mes tij dhe Radoiçiqit – pasi vitin e kaluar Radoiçiq kishte tentuar ta vriste, duke i vendosur eksploziv nën makinën personale.
“Milan (Vukashinoviq) nuk i ka lënë institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe që nga ajo kohë nuk shkon në Serbi. Në vitin 2024, Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Milan Vukashinoviq është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punonjës i një shoqërie sigurimesh kosovare.
Reagon KFOR’i
KFOR ka konfirmuar se është në dijeni për rastin dhe po e monitoron situatën në kufirin administrativ, e cila për momentin është e qetë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës e ka cilësuar incidentin si shkelje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe ka nisur hetimet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Gazeta ka adresuar pyetje tek institucionet në Kosovë por deri në publikimin e shkrimit ende nuk kanë kthyer përgjigje.









