Policia e Kosovës ka konfirmuar se më 1 nëntor 2025 ka pranuar një informacion për një incident të rëndë në zonën e Leposaviqit, ku dyshohet se një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V., i përkatësisë serbe, është plagosur dhe rrëmbyer nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të ashtuquajturës “pika zero”, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Policia ka njoftuar menjëherë KFOR-in, si forcë përgjegjëse për sigurinë në zonën kufitare.
Serbi që u plagos e u kidnapua nga xhandarmëria serbe është Milan Vukašinović, doganier i Kosovës.
Ai para disa kohësh në një intervistë pati treguar se nuk ndihej i sigurtë të shkonte në Serbi.
“Jo, asgjë nuk ka qenë spontane rreth largimit nga institucionet e Kosovës — gjithçka e organizon Lista Serbe. Unë kam qëndruar në punë, jam në anën kosovare në Jarinjë. Pas kësaj, më janë lidhur shumë gjëra, më kanë përfolur për arsye të ndryshme, dhe për këtë arsye nuk ndihem i sigurt të shkoj në Serbi. Unë ende punoj, jam i vetmi nga serbët që kam mbetur duke punuar në Jarinjë. Listën Serbe as nuk e kam dëgjuar, as nuk më ka punësuar, as nuk e kam ndjekur për të lënë punën. Largimi nga institucionet e Kosovës nuk është spontan — dihet mirë kush i dirigjon këto gjëra. Listën Serbe, siç e quajmë ne, janë terroristë”, kishte deklaruar ai.









