Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, i është bashkuar Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Lista Serbe, Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e nismës iu bashkuan kësaj partie, duke theksuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Sipas rezultateve preliminare, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Spasiq pritej të përballej me kandidatin e Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq. Megjithatë, pas vendimit të tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të konfirmojë nëse në Kllokot do të mbahet balotazhi më 9 nëntor.
Në deklaratën e tij publike, Spasiq theksoi se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe, të cilën e quajti “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.
“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.









