Në fshatin Baicë të Lipjanit, më 3 gusht, u zhduk Enver Bajraktari. Ai ishte parë për herë të fundit rreth orës 15:55, kur kishte dalë për të lëshuar lopën, por nuk ishte kthyer më.
Familjarët njoftuan policinë dhe kërkimet nisën menjëherë. Pas 24 orësh kërkimesh, trupi i tij u gjet i varrosur në një arë misri pranë shtëpive të fshatit.
Sipas dëshmive të banorëve, trupi ishte fshehur thellë në dhe, i mbuluar me dërrasa dhe madje me disa kërcenj misri të mbjellë mbi të, për të mos u vërejtur.
Kryetari i fshatit, Sheremet Kolshi, tregoi se kërkimet kishin nisur pasi u vërejtën shenja të dyshimta në arë. “E pamë që bari ishte prishur dhe aty e gjetëm”, tha ai për emisionin MAT në Klan Kosova.
Ara e misrit ku u gjet i varrosur trupi i pa jetë i Enverit, edhe pse afër shtëpisë së Top Kolshit, nuk ishte në pronësi të familjes, por e marrë me qira për shfrytëzim, nga familja e Topit, e të cilën ky i fundit e punonte dhe kujdesej vetë për të dhe arat tjera që i kishte marrë për shfrytëzim poashtu.
Trupi i Bajraktarit u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa hetimet për zbardhjen e vrasjes vazhdojnë.
Ndërkohë, dorasi mbetej i panjohur.
Policia dhe Prokuroria po punonin me intensitet, për ta zbuluar se kush e vrau dhe pse. Në fshat qarkullonin dyshime, thashetheme dhe akuza, por askush nuk dinte të tregonte me siguri se kush qëndronte pas kësaj ngjarjeje tragjike.
Dhe kjo ishte vetëm fillimi i një historie që, edhe sot, mbetet e mbushur me mister.








