Uragani i fuqishëm “Melissa” ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në Karaibe, duke marrë jetën e mbi 30 personave, ndërsa tanimë është drejtuar ndaj ishujve të Bahamas.
Dëme të mëdha në Kubë dhe Xhamajkë
Siç shkruan CNN, “Melissa” ka goditur këtë mëngjes Kubën si uragan i Kategorisë 3, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke izoluar rreth 140 mijë persona për shkak të ngritjes së niveleve të lumenjve. Ndërkohë, Xhamajka u godit ditën e martë nga një nga uraganët më të fuqishëm të Atlantikut në historinë e vendit. Dëme të mëdha janë shkaktuar në infrastrukturën publike, ndërsa pjesa më e madhe e ishullit mbeti pa energji elektrike. Shumë zona mbeten të pakalueshme, duke e bërë të vështirë vlerësimin e plotë të shkatërrimeve.
Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, vizitoi St. Elizabeth Parish për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga uragani. Pamjet e publikuara nga ai tregojnë shtëpi të dëmtuara, çati të shembura dhe mbeturina të shpërndara në të gjithë qytetin. Holness tha se dëmi ishte i madh, por se qeveria do të përkushtohet për një rikuperim të shpejtë.
Kryebashkiaku i Black River, Richard Solomon, e përshkroi situatën si “katastrofike”, duke shtuar se spitali dhe qendrat emergjente ishin të dëmtuara nga përmbytjet, duke e bërë të pamundur operacionin e shpëtimit në këtë moment. Autoritetet kanë bërë thirrje për ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveria e Xhamajkës.
Mbi 30 të vdekur
CNN shkruan se vetëm në Haiti, të paktën 25 persona kanë humbur jetën në Petit-Goâve, pasi një lumë doli nga shtrati si pasojë e uraganit. Tre persona të tjerë kishin humbur jetën më herët në vend. Ndërsa në Xhamajkë, katër persona u gjetën të vdekur në St. Elizabeth Parish dhe tre të tjerë gjatë përgatitjeve për stuhinë. Një viktimë është regjistruar gjithashtu në Republikën Domenikane.
Qendra e uraganit pritet të arrijë ishujt Bahamas brenda pak orësh. Rreshjet e dendura dhe stuhitë e fuqishme pritet të prekin ishujt, duke rrezikuar përmbytje dhe dëme të mëtejshme.








