Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe deputetëve Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba, pasi këta të fundit munguan pa arsyetim në seancën gjyqësore të datës 16 shtator 2025.
Lajmi është konfirmuar nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka bërë të ditur se procedura penale ndaj të pandehurve po zhvillohet në Departamentin e Përgjithshëm Penal, lidhur me akuzat për veprat penale:
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas nenit 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe
“Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” sipas nenit 409 të po të njëjtit kod.
Sipas vendimit të gjykatës, gjyqtari i çështjes ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale për sigurimin e prezencës së të pandehurve në seancën e ardhshme.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D, për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyres zyrtare nga neni 409 paragrafi të KPRK-së. Gjyqtari i kësaj çështje penale, për shkak se të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S kishin munguar në seancën e datës 16.09.2025 dhe mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar, ka vendosur jashtë seancës dhe ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S. Gjykata ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e mëtejme procedurale për të siguruar prezencën e të pandehurve në seancën e radhës. Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës.”, tha Gashi.
Rasti lidhet me ngjarjen e njohur të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, për të cilën zyrtarët e Vetëvendosjes akuzohen se kanë përdorur mjete të rrezikshme dhe kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës.









