spot_img
spot_img
Sunday, February 8, 2026
spot_img
spot_img

“Melissa” godet si bishë tropikale: Jamaica në orët më të errëta të historisë së saj

Jamaika është futur në kapitullin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne, ndërsa uragani Melissa, tashmë një përbindësh i kategorisë 5, ka nisur të godasë territorin e saj me furinë e plotë të natyrës së trazuar. Me një intensitet të pazakontë dhe një shpejtësi rrënuese, ‘Melissa’ është shndërruar brenda pak ditësh nga një stuhi tropikale e zakonshme në një makth klimatik, duke nxjerrë në pah se sa të pambrojtura janë vendet ishullore përballë një planeti që ngrohet në mënyrë të frikshme.

Temperaturat e sipërfaqes së oqeanit në rajon kanë qenë 2 deri në 3 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, duke i dhënë stuhisë “karburantin” që i duhej për t’u transformuar në një fenomen ekstrem. Kjo përshpejtim i frikshëm është pasojë direkte e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale; një fakt që komuniteti ndërkombëtar vijon ta diskutojë më shumë në tryeza politike sesa ta adresojë me vendosmëri. ‘Melissa’ është jo thjesht një stuhi: është pasqyra brutale e të ardhmes që na pret, nëse lëmë planetin në mëshirën e emetimeve dhe papërgjegjshmërisë industriale.

Pasditja e sotme parashikohet të jetë momenti i goditjes së drejtpërdrejtë. Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, kanë bërë thirrje për evakuim masiv, ndërkohë që mbi 1.5 milionë banorë janë vendosur në alarm të kuq. Parashikimet meteorologjike janë alarmante: deri në 1 metër reshje në disa zona, erëra që kalojnë 250 km/h, ndërprerje të energjisë, përmbytje shkatërrimtare dhe rrëshqitje dheu në terrenet malore. Rreziqet janë reale dhe të shumëfishta: nga kolapsi i infrastrukturës elektrike dhe rrugore, tek zhdukja e komuniteteve të tëra bregdetare.

Dhe kjo është vetëm pjesa e parë e krizës. Ekspertët paralajmërojnë se ngadalësimi i lëvizjes së uraganit, një tjetër efekt i klimës së ngrohtë do të thotë që Melissa mund të qëndrojë mbi ishull për një kohë të gjatë, duke e bërë shkatërrimin më të thellë dhe më të vazhdueshëm. Kjo lëvizje e ngadaltë është një nga karakteristikat më të rrezikshme të stuhive moderne, që shkaktojnë më shumë vdekje jo nga erërat, por nga përmbytjet dhe izolimi i zgjatur.

Ndërkombëtarisht, Jamaica po përpiqet të japë alarmin se bota nuk mund të qëndrojë indiferente. Kryeministri ka folur për “një moment ekzistencial” dhe ka kërkuar ndihmë emergjente, jo vetëm materiale, por edhe politike, duke e lidhur drejtpërdrejt situatën me nevojën për fonde kompensuese për vendet që po vuajnë pasojat e klimës, pa qenë ato vetë përgjegjëse për ndotjen.

Kjo tragjedi e paralajmëruar duhet të lexohet edhe nga vendet më të vogla si Shqipëria dhe ato të Ballkanit, të cilat ndonëse nuk ndodhen në zonën tropikale, janë po aq të ekspozuara ndaj efekteve të ngrohjes globale: stuhi të papritura, përmbytje urbane, thatësira, çrregullime ushqimore dhe presion migrator. Rasti Melissa është një thirrje për reflektim mbi rolin që secili vend ka në arkitekturën klimatike globale, dhe mbi domosdoshmërinë për të qenë jo spektatorë, por pjesëmarrës aktivë në përballjen me sfidat që nuk njohin kufij.

Në fund të fundit, Melissa është më shumë se një stuhi. Është një mesazh i dhimbshëm i natyrës për njerëzimin: se indiferenca ka kosto. Dhe për Jamaikën, ajo kosto po shlyhet tani, me jetë njerëzish, me shkatërrim ekonomik dhe me plagë që do duhen dekada për t’u mbyllur.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit