Drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtur “zyre e qeverisë serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj fjalimit të djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke vlerësuar se paraqitja e tij ishte “një katalog fyerjesh në adresë të Beogradit dhe një tiradë antiserbe”.
Petkoviq ka pretenduar se fjalimi i Kurtit “ishte tendencioz dhe i mbushur me urrejtje ndaj gjithçkaje që është serbe”.
“Në vend që të zgjidhë problemet e shumta në Kosovë”, Kurti akuzon Serbinë dhe serbët, ndërsa njëkohësisht mburret me mbylljen e institucioneve serbe dhe me krijimin e krizave”, pretendohet në njoftimin e kësaj zyre.
Sipas Petkoviqit, “Kurti në këtë mënyrë përpiqet të fshehë dështimet e tij politike dhe humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Sulmet e tij ndaj Serbisë janë vetëm një përpjekje për të fshehur faktin se Prishtina është burimi kryesor i destabilitetit në rajon”.
“Dështimi politik dhe mungesa e një programi pozitiv nuk mund të fshihen pas frazave për një Beograd agresiv,” ka vazhduar ai.
“Në tiradat e Kurtit nuk besojnë më as votuesit e tij”, përfundon Petkoviqi.









