Gazetari Astrit Gashi që ishte duke intervistuar deputetin e LDK-së, Armend Zemajn, ka reaguar për përleshjen fizike me një qytetar.
Ai është shprehur kundër dhunës, por ka vlerësuar se provokimet dhe fyerjet janë të rënda.
Gashi ka bërë të ditur se do të publikohet tërë materiali nga intervista.
“Të premten, gjatë xhirimit të një interviste me deputetin Armend Zemaj në sheshin e Prishtinës, ndodhi një incident fizik që tashmë është bërë publik dhe e keni parë të gjithë”, ka thënë Gashi.
“Uroj që situata të tilla të mos i përjetojë askush. As gazetarët në krye të detyrës, as qytetarët, as vetë personat publikë. Dhuna, në çdo formë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet pa asnjë dilemë. Përtej dhunës së dënueshme, shumë të rënda janë edhe provokimet dhe fyerjet verbale, që shpesh ndezin situata të panevojshme dhe të dhimbshme sikur ajo e djeshmja”, ka thënë ai.
“Materialin e plotë mund ta ndiqni sonte, nga ora 20:00 në GazetaBlic & RTV Dukagjini, nga intervista me deputetin Armend Zemaj, e deri te incidenti përfshirë pjesë të papublikuara , për aq kohë sa kanë xhiruar kamerat e BlicInterview. Pa ndërhyrje, pa montazh, vetëm për të qenë transparentë me publikun dhe për t’i dhënë secilit mundësinë të gjykojë vetë. Në fund të ditës, gazetaria nuk është spektakël, por përgjegjësi. Dhe përgjegjësia nis me të vërtetën, sado e pakëndshme të jetë ajo”, ka thënë Gashi.









