Rreth 4 mijë e 400 persona janë abuzuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë në Itali që nga viti 2020, sipas shifrave të publikuara nga Rete L’Abuso, grupi më i madh i viktimave të abuzimit klerikal në vend.
Rete L’Abuso thotë se ka regjistruar 1,250 raste të dyshuara abuzimi disa prej të cilave përfshinin viktima të shumëfishta. Prej tyre 1,106 ishin priftërinj katolikë, ndërsa pjesa tjetër ishin murgesha, mësues fetarë, vullnetarë, edukatorë dhe anëtarë të organizatave të skautizmit.
Sipas raportit, 4,625 persona konsiderohen viktima, ose ata që organizata i quan “të mbijetuar”, nga të cilët 4,395 u abuzuan nga priftërinjtë. Nga këta 4,451 ishin nën 18 vjeç, ndërsa 4,108 ishin djem. Viktimat e mbetura përfshijnë pesë murgesha, 156 të rritur të cenueshëm dhe 11 persona me aftësi të kufizuara.
Nga 1,106 priftërinj të dyshuar, vetëm 76 u çuan në gjykata kishtare, 17 u pezulluan përkohësisht, shtatë u transferuan në famulli të tjera dhe 18 u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen nga detyra e tyre priftërore, ndërsa pesë prej tyre raportohet se kanë kryer vetëvrasje.
Sipas “Reuters”, Rete L’Abuso, e cila nuk njihet zyrtarisht nga shteti ose kisha, tha se të dhënat bazohen në dëshmitë e viktimave, dokumentet gjyqësore dhe raportet e shtypit.
Kisha Katolike është tronditur për dekada nga skandalet që përfshijnë pedofilinë dhe mbulimin e rasteve nga priftërinjtë, por autoritetet lokale të kishës në Itali janë akuzuar se nuk e kanë trajtuar problemin në mënyrë transparente.
Papa i ri, Leoni XIV, i cili u takua me të mbijetuarit e abuzimit klerikal për herë të parë këtë javë, u bëri thirrje peshkopëve “të mos i fshehin akuzat për shkelje”. Paraardhësi i tij, i ndjeri Papa Françesku, e kthehu luftën kundër abuzimit një përparësi gjatë papatit të tij 12-vjeçar, por me rezultate të përziera.
Në një raport të publikuar më 16 tetor, Komisioni i Vatikanit për Mbrojtjen e të Miturve theksoi se vetëm 81 nga 226 dioqeza italiane iu përgjigjën një pyetësori mbi praktikat e tyre të mbrojtjes së fëmijëve.








