- Shkruan: Nehat Shaqiri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka pranuar vetë se ka qenë në dijeni për marrëveshjen e koalicionit ndërmjet Xhafer Tahirit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri.
Abdixhiku, me gojën e tij, sonte ka pohuar se për përfshirjen e Albin Kurtit në ceremoninë e nënshkrimit nuk ka qenë në dijeni, kjo deklaratë e tij krijon përshtypjen se e ka ditur që do të realizohet koalicioni LVV-LDK.
“Nuk e kam ditë që Kurti ka me qenë prezent atje, nuk ma ka marrë mendja që shkon. Ish dasht me i shku me i than atje o qyqan ku e ki kryetarin tënd? Jo valla s’e kom, e pse se ki, se s’u pajtu me këtë punë. Secili njeri që e shtrin qafën për një tjetër parti e për një punë që nuk është e tija fare”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas burimeve të sigurta brenda LDK-së në Vushtrri, një natë para nënshkrimit të koalicionit, Xhafer Tahiri i kishte prezantuar kryesisë lokale të partisë një mesazh të Lumir Abdixhikut, në të cilin i kërkohej që marrëveshja me LVV-në të nënshkruhej.
Madje, sipas të njëjtave burime, Tahiri ua kishte lexuar mesazhin anëtarëve të kryesisë në mbledhje, dhe pas kësaj ishte marrë vendimi që të respektohej direktiva e Abdixhikut për të bërë koalicionin.
Por çfarë ndodhi më pas?
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në momentin kur në skenë u shfaq Albin Kurti, situata ndryshoi. Prezenca e Kurtit në aktin e nënshkrimit duket se e ka “djegur” Lumir Abdixhikun politikisht – duke e vendosur në një pozitë të vështirë përballë opinionit publik dhe strukturave të brendshme të LDK-së.
Nëse Abdixhiku e ka ditur për marrëveshjen, pse nuk e thotë hapur të vërtetën?
Pse po tentohet të krijohet përshtypja sikur gjithçka ndodhi pa dijeninë e kryetarit të LDK-së?
Koalicioni në Vushtrri duket se ka hapur shumë më tepër dilema politike brenda LDK-së sesa që u mendua fillimisht – dhe qytetarët meritojnë të dinë se kush po e flet, e kush po e fsheh të vërtetën.









