Komuna e Gjilanit do të ketë raund të dytë zgjedhjesh, për shkak se partia e parë nuk arriti t’i marrë mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, mori 49,80 për qind të votave, derisa kundërkandidati i tij nga radhët e LDK’së, Arbër Ismajli, 34,29 sosh.
Hyseni i VV’së do të mund ta fitonte komunën e Gjilanit me 92 vota më shumë.
Një nga arsyet pse Hyseni do të shkojë në balotazh është edhe partia “Guxo”, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje bëri koalicion nëpër shumë komuna të vendit.
Ilir Poroshtica, kandidati i listës “Guxo” për kryetar të Komunës së Gjilanit, u tërhoq nga gara ende pa filluar fushata.
“Pas shumë reflektimesh dhe përgjegjësie qytetare, për arsye personale, tërhiqem nga kandidatura për Kryetar të Komunës së Gjilanit.Falënderoj çdo qytetar që më mbështeti. Si pjesëmarrja në garë, si heqja dorë, janë akt i vetëpërcaktimit. Pavarësisht largimit të shpejtë nga gara, dorëheqjes nga anëtarësia dhe çdo pozicion partiak, do të vazhdoj të kontribuoj në shoqëri, siç kam bërë vazhdimisht”, kishte thënë Poroshtica me anë të një postimi në ‘Facebook’, ku kishte njoftuar dorëheqjen nga gara.
Megjithatë, emri i tij figuronte në listat zgjedhore. Poroshtica ka marrë 157 vota në zgjedhjet lokale apo 0,35 për qind të tyre, përqindje kjo që do ta çonte Hysenin në mbi 50 për qind të votave.

Gjithsesi, gara për balotazh do të zhvillohet më 9 nëntor të këtij viti.









