Vojin Radovanoviq, gazetar i gazetës Danas, ka folur për Euronews Albania lidhur me incidentin e ndodhur paraditen e së mërkurës para Parlamentit të Serbisë pas të shtënave me armë zjarri në një kamp tendash pro-qeveritare, të cilat më pas u përfshinë nga flakët.
Radovanoviq raporton nga vendngjarja se nga informacionet e deritanishme një person është plagosur për shkak të të shtënave me armë, dhe një tjetër është vënë në pranga. Më tej gazetari thekson se ka pasur një prani të shtuar të forcave të policisë për të vijuar hetimet e mëtejshme.
“Këtë mëngjes pas orës 10:00 një zjarr ra në tendat e ngritura pranë parlamentit serb. Në këtë moment ka shumë zjarrfikës, prani e madhe e policisë dhe shumë qytetarë kanë ardhur për të parë se çfarë ka ndodhur. Gjithashtu u dëgjuan të shtëna. Deri tani, nga burime jo zyrtare dimë që një person është plagosur dhe një tjetër arrestuar.
I vetmi variant zyrtar që dimë është se presidenti Vuçiq do mbajë një fjalim. Informacione jo zyrtare thonë se gjatë të shtënave i lënduari mori plagë tek këmba.
Policia nga vendngjarja njofton se ka pasur shumë tym për shkak të zjarrit”, tha Vojin Radovanoviq.
Sipas gazetarit serb, ky incident është një provokim që mund të pasojë me të tjera grumbullime të personave të regjimit.
“Mendoj se ky epsiod përbën një problem për Serbinë pasi ndodhi pranë godinës së parlamentit dhe unë gjithmonë kam thënë se akte të tilla janë provokim që bëjnë kundër studentëve që protesojnë apo janë kundër figurave të opozitës.
Pritet të ketë një grumbullim të personave pro regjimit, është një ngjarje që do marrë ngjyrime politike por dhe Vuçiq nga ana tjetër do thojë atë që do dëshirojë”, tha Vojin Radovanoviq.








