Një sherr me kamarierin për një kafe ka përfunduar me dy viktima në Manëz të Durrësit. Ngjarja e rëndë u shënua pranë një karburanti, ku 33-vjeçari Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçari Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, në ambientet e një lokali pranë një karburanti ndërsa viktimat janë të dy banues në zonën e Manzës.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe.
Kamarieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.

Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë se nuk mund ta fyejë kamarierin, pasi është ulur në tavolinë me të. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Arianit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.
Kamerieri Alteo Pepa, ndonëse u përfshi në konfliktin verbal fillestar, nuk ka mbetur as i plagosur dhe as viktimë në këtë ngjarje.
21-vjeçari Daniel Pepa është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka ngritur pika kontrolli dhe po kryen operacione intensive për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Kamerieri i lokalit ka treguar më pas detajet si ndodhi vrasja e dyfishtë.
“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë.
Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”- tregon kamerieri.
Tre të rinjtë e përfshirë në konflikt kishin njohje të mëparshme, madje të tre shpesh e frekuentonin lokalin ku ndodhi ngjarja.









