Sami Lushtaku dhe Blerim Kuqi janë parë dje së bashku në një kafene, një takim që ka ngjallur spekulime për mundësinë e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së në Suharekë.
Lushtaku ka konfirmuar takimin, por ka mohuar që ai të lidhet me procesin zgjedhor, duke e cilësuar si një takim mes miqsh.
“Për besë jemi takuar në një vend në Prishtinë rastësisht, kemi pirë një kafe. Jemi miq që një kohë të gjatë, bile as që kemi diskutuar për çështje politike. Tash u bo pak edhe zor me qëndru më dikon, por kjo është puna e gazetarëve që ju keni drejt me pyet dhe asgjë nuk prish ndonjë punë, por e vërteta është kjo,” tha Lushtaku.
Ai shtoi se për çështjet e koalicioneve dhe bashkëpunimeve vendos kryetari i partisë dhe se vetë nuk ka diskutuar asnjëherë për këto tema gjatë takimit.
“Ndoshta kemi qëndruar jo më shumë se 10 minuta, ndoshta edhe më pak. Për çështjen e koalicioneve e bashkëpunimeve është kryetari i partisë, unë as që diskutoj. Por kemi problem edhe me pi kafe me ndonjë shok apo mik për shkak të disa propagandave që po bëhen,” tha Lushtaku.
Takimi i fundit mes biznesmenit Blerim Kuqi dhe Sami Lushtakut ka ngjallur jo vetëm kureshtje, por edhe kritika të ashpra në skenën politike të Suharekës.
Analisti politik, dikur pjesë e AAK-së, Avni Arifi, e ka komentuar fotografinë ku shihen dy figurat, duke e cilësuar si shembull të “tuxharllëkut politik pa parime” që po ndodh në komunë.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Arifi ka kritikuar mënyrën se si Lidhja Demokratike e Kosovës po tenton ta fitojë komunën e Suharekës, duke e quajtur një rast të paprecedent në historinë e partisë.
Sipas tij, LDK-ja, e cila tradicionalisht ka fituar komunat me kuadro të përzgjedhura, me program të qartë dhe me besim qytetar, këtë herë po vepron ndryshe.
“Tuxharllëku për Suharekën – ‘Drenasi Nr. 2’. Në histori nuk njihet ndonjë rast që LDK-ja ta ketë fituar ndonjë komunë në Kosovë në formën siç po tenton ta fitojë Suharekën. LDK-ja i ka fituar komunat tradicionalisht me kuadro të përzgjedhura, me program të mirë, me besim dhe me votë popullore,” ka shkruar Arifi.









