Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së hënës qytetin e Berlinit, ku një shpërthim i fuqishëm në një banesë private në lagjen Buckow, në distriktin Neukölln, ka shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e tetë personave të tjerë, mes tyre katër fëmijë.
Ngjarja ndodhi në një shtëpi njëkatëshe, ku shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në strukturën e banesës. Dritaret shpërthyen dhe pjesë të muraturës u përhapën në rrugë. Fatmirësisht, ndonëse ndërtesa pësoi dëmtime të mëdha, nuk pati rrezik të menjëhershëm shembjeje dhe ndërtesat përreth nuk u prekën nga shpërthimi.
Shkaqet e ngjarjes nuk janë ende të konfirmuara, por dyshimet paraprake tregojnë se mund të ketë qenë një defekt në sistemin e ngrohjes, konkretisht në oxhakun e banesës, që ka shkaktuar shpërthimin.
Nga të plagosurit, një fëmijë dhe një i rritur ndodhen në gjendje më të rëndë, ndërsa gjashtë të tjerët kanë marrë lëndime më të lehta. Të gjithë janë transportuar në spitale të ndryshme në kryeqytet dhe gjendja e tyre është nën kontroll.
Në vendngjarje ndërhynë dhjetëra efektivë të zjarrfikëses dhe emergjencave civile, të cilët u përpoqën të shuajnë një zjarr të vogël që pasoi shpërthimin dhe të sigurojnë zonën për të shmangur incidente të tjera të mundshme. Hetimet mbi shkaqet e sakta të shpërthimit janë ende në vijim. Ekspertët do të analizojnë instalimet e ngrohjes dhe sistemet e ajrimit për të përcaktuar me saktësi burimin e defektit që çoi në këtë tragjedi.








