Udhëheqësit evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë gjithnjë e më të bindur se një propozim për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, të siguruara nga depozitat e ngrira të bankës qendrore ruse, mund të miratohet deri në fund të vitit, në një veprim që konsiderohet kritik për Kievin për të ruajtur përpjekjet e tij mbrojtëse.
Propozimet nga Komisioni Evropian u diskutuan në një takim të ministrave të financave të G7 në Uashington javën e kaluar dhe do të debatohen në një samit të liderëve të BE-së të enjten në Bruksel. Pjesëmarrja e SHBA-së mbetet e pasigurt.
Radosław Sikorski, ministri i jashtëm i Polonisë, tha javën e kaluar se besonte se “çështja e përdorimit, në emër të viktimës së agresionit, të aseteve të ngrira ruse po shkon drejt një zgjidhjeje të lumtur”.
Ai tha se një marrëveshje ishte e arritshme deri në fund të vitit: “Është shumë e thjeshtë, ose do të përdorim paratë e agresorit ose do të na duhet të përdorim paratë tona. Mos më pyetni se cilën preferoj.”
Sipas planit, të skicuar në një dokument dyfaqësh nga Komisioni Europian muajin e kaluar, BE-ja do t’i jepte Ukrainës një kredi pa interes prej 140 miliardë eurosh, bazuar në asetet e ngrira ruse të mbajtura në agjencinë financiare Euroclear.
Kredia do të jepet mbi bazën që Rusia do të përdorë asetet e ngrira për të mbuluar dëmshpërblimet e luftës kur të përfundojë konflikti. “Ajo që po propozojmë nuk është konfiskim”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i BE-së më parë këtë muaj.
Ukraina ka pasur një deficit buxhetor vjetor, ndërsa është përballur me luftën kundër pushtimit rus. Në të kaluarën, ajo është mbështetur te qeveritë aleate për ta mbështetur me huamarrje shtesë. Por rritja e kostove dhe mbështetja e pasigurt e SHBA-së po rrisin angazhimin financiar ndaj aleatëve evropianë të Ukrainës.
Në shtator, Ukraina vlerësoi se do të kishte nevojë për 50 miliardë dollarë mbështetje të jashtme për vitin 2026. Në veçanti, zyrtarët e BE-së besojnë se Ukraina do të ketë nevojë për një injeksion urgjent fondesh për përpjekjet e saj të luftës nga prilli i vitit 2026, për shkak të mungesës së shenjave të përparimit në bisedimet e paqes.
Belgjika pret 183 miliardë euro asete të ngrira në Euroclear me seli në Bruksel dhe ka kërkuar garanci të hollësishme se nuk do të lihet vetëm me faturën, nëse skema dështon, duke shkaktuar një mori pretendimesh ligjore. Ajo gjithashtu dëshiron më shumë presion mbi G7-ën për të marrë masa të ngjashme për të ndihmuar Ukrainën.
Rachel Reeves, ministrja e financave të Mbretërisë së Bashkuar, diskutoi planet me kolegët e saj ministra të financave të G7 në Uashington këtë javë, ndërsa ata u takuan në kuadër të takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Një pjesë e skemës është që vendet e G7 do të bashkohen për të garantuar borxhet, kryesisht për të siguruar Belgjikën , ku mbahet pjesa më e madhe e parave të bankës qendrore ruse, të ngrira në fillim të konfliktit në shkallë të plotë.
Mbretëria e Bashkuar pritet të japë një kontribut në këtë aspekt të skemës, pavarësisht se mban drejtpërdrejti pak asete të ngrira ruse. Kuptohet që negociatat po vazhdojnë mbi kontributet e secilit vend të G7 në këto garanci, duke përfshirë edhe nëse SHBA-të do të luajnë një rol.
Pjesëmarrja amerikane është më pak e sigurt, por SHBA-të gjithashtu zotërojnë vetëm një sasi modeste të aseteve bankare ruse, rreth 7 miliardë dollarë. Edhe pse mbështetja e Shtëpisë së Bardhë do të shihet politikisht dhe ligjërisht e rëndësishme, ajo nuk është domosdoshmërisht kritike ekonomikisht.
Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se “G7 bie dakord që ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Putinin që të ulet në tryezën e negociatave, si dhe të eksplorojmë një mënyrë të re për të financuar përpjekjet e luftës së Ukrainës përmes shfrytëzimit të vlerës së aseteve sovrane ruse.”








