Aeroporti i Vlorës: Skema e dyshimtë që mund të trondisë Shqipërinë

Hetime penale kanë nisur në Tiranë për një seri veprimesh të dyshimta të Behgjet Pacollit rreth pronësisë së Aeroportit të Vlorës. Pacolli dyshohet për mashtrimin e bashkë-aksionarit të projektit, biznesmenit kosovar Valon Ademi. Por, më alarmuese është një marrëveshje e Pacollit që e “dorëzon” këtë aset kyç të shtetit në duar të një kompanie guackë – “offshore” në Luksemburg.

Ish-kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli është implikuar në një skemë të madhe mashtrimi në Shqipëri.

Biznesmeni multi-miliarder është vendosur nën hetim nga Prokuroria e Tiranës dhe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për një lojë të rrezikshme me një nga asetet kryesore strategjike të shtetit shqiptar: Aeroportin e Vlorës.

Sipas dëshmive që dolën në dritë në mediat shqiptare javën që shkoi, përmes mashtrimit të aksionarëve, Pacolli ka tentuar që Aeroportin e Vlorës t’ia lë si pasuri “Delphos Securities Sarl”, një kompanie guackë (offshore) me bazë në Luksemburg.

Marrëveshja për kredi mes ‘Macbo Constructions’ dhe ‘Delphos Securities Sarl’

Aeroporti është hipotekuar si garanci financiare mes kompanisë së Pacollit “Mabco Constructions S.A” dhe kompanisë “Delphos Securities Sarl”, për një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga Pacolli më 26 mars të këtij viti, tregon një marrëveshje financimi e lidhur me palëve.

Dokumenti i marrëveshjes për financim mes “Mabco Construction S.A” dhe “Delphos Securities Sarl” është publikuar në media.

Sipas marrëveshjes, kompania e Pacollit do të marrë një kredi prej 100 milionë eurosh për financim.

Nëse Pacolli nuk arrin të shlyejë kredinë me interes fillestar 7.6%, thuhet në kontratë, atëherë Aeroporti i Vlorës do t’i kalojë nën kontroll ekonomik kompanisë “Delphos Securities Sarl”.

Kompania me të cilën ai lidhi marrëveshja është e regjistruar në Luksemburg si një shoqëri titrizimi. Ajo, dyshohet se është e lidhur me Rusinë.

Njëri nga tre drejtorët ekzekutivë të kësaj kompanie, bazuar në regjistrin e bizneseve në Luksemburg, figuron të jetë ish-drejtuesi i tregjeve në zhvillim në kompaninë e njohur britanike të Fondeve Hedge, GLG Partners.

Në kohën kur shërbente si drejtor i tregjeve në zhvillim në GLG Partners, Bart Turtelboom ka investuar aktivisht në tregje si Rusia, tregon një raportim i mediumit prestigjoz amerikan, Bloomberg, në vitin 2011.

Në një konferencë të Fondeve Hedge të organizuar nga Bloomberg në Londër më 2011, Trutelboom deklaronte se ishte duke investuar në rritjen e monedhës ruse, Rublës.

“GLG Partners është duke bastuar për fitime në rublën ruse… është një nga tregtitë më të mëdha që kemi në pozicion”, deklaroi Turtelboom në këtë konferencë.

Bart Turtelboom, njëri nga tre drejtorët ekzekutivë të kompanisë ‘Delphos Securities Sarl’

Pra, jo vetëm që Turtelboom kishte interes profesional në Rusinë financiare, por edhe menaxhonte investime reale në tregun rus në atë periudhë.

Pikërisht ky njeri është njëri nga tre drejtuesit e kompanisë të cilës Behgjet Pacolli, përmes marrëveshjes për kredi të marsit 2025, praktikisht ia krijoi mundësinë që të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Dy drejtorët e tjerë të “Delphos Securities Sarl” janë Erman Cekicioglu dhe Eugenio Quintiliani. Këta tre persona figurojnë si drejtorë, së paku në regjistrin e bizneseve në Luksemburg.

Mirëpo, pronësia përfundimare e kompanisë nuk dihet.

Përpos Behgjet Pacollit, Prokuroria në Shqipëri ka nisur hetime penale edhe ndaj Emin Pacollit, vëllait të tij dhe punonjësit Nelson Çela. Të dy po hetohen për rolet e tyre në kompaninë “Mabco Constructions S.A”.

Të tre dyshohen për akuzat e “mashtrimit me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.

Akuzat ndërlidhen me dyshimet se Pacolli dhe njerëzit e tij ia shiten aksionet e Aeroportit kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. Fjala është për kompaninë kosovare “2A Group”, të biznesmenit Valon Ademi.

Sipas një kallëzimi penal të deponuar në Prokurori, Pacolli dyshohet se mashtroi Ademin për pronësinë e Aeroportit. Ai pretendon se është zotërues i 98% të aksioneve të Aeroportit, ndërsa Ademi është zotërues i 2% të aksioneve.

Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi

Por, Ademi pretendon se ekziston një kontratë noteriale e vitit 2022, sipas së cilës, ai është pronar i 47% të aksioneve dhe Pacolli 53%. Por, kjo kontratë nuk është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në Shqipëri. Në dokumentet zyrtare, Pacolli figuron zotërues i 98% të aksioneve.

Konflikti mes dy biznesmenëve kosovarë ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës.

Në tetorit të këtij viti, Gjykata vendosi masë sigurie për aksionet e Aeroportit të Vlorës, deri në një vendim përfundimtar për rastin.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës/ 17.10.2025

Gjykata vendosi që të pezullojë çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të biznesit “Vlora International Airport – VIA Sh.P.K”, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Gjithashtu, në bazë të vendimit të cilin e publikoi Gazeta Tema javën që shkoi, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.

Zhvillimet e mëdha rreth pronësisë së Aeroportit kanë shkaktuar “tërmet” brenda rrethit të Pacollit.

Valon Lluka, administrator i parë i projektit dhe bashkëpunëtor i Pacollit, u shkarkua befas nga roli i tij si drejtori i kompanisë së Pacollit. Më pas edhe një administrator i ri, Mentor Hajdaraj, dha dorëheqjen pas vetëm një muaji në detyrë si drejtor i “Macbo Constructions”.

Tani që çështja i ka kaluar drejtësisë, konflikti po rrezikon që investimi strategjik prej 104 milionë eurosh të mbetet i bllokuar.

Rreziku më i madh nuk është ky. Është ai i humbjes nga shteti shqiptar i kontrollit ekonomik dhe administrativ mbi projektin, pasi me marrëveshjen e Pacollit me “Delphos Securities Sarl”, kontrata dhe projekti i Aeroporti të Vlorës dalin përfundimisht jashtë juridiksionit dhe sistemit ligjor shqiptar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit