Kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, Agron Kuçi ka bërë të ditur se ka raportuar në organet kompetente një kërcënim që sipas tij i është bërë nga një militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuçi kishte ngritur më parë shqetësime për rritje të pazakontë të numrit të votuesve në komunën e Junikut, të cilët sipas tij nuk kanë adresë, mbiemër apo lidhje me vendin. Pas numërimit të deritashëm të votave në vend dhe atyre me postë, Kuçi do të jetë në balotazh me Ruzhdi Shehun të LDK-së.
“As kërcënimet me jetë nuk më frikësojnë e as nuk më ndalin të punoj për të mirën e Junikut dhe qytetarëve të tij. Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët kërcënimesh me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh. Përveç tentativave përmes personave që kanë ardhur në shtëpinë time, duke kërkuar të tërhiqem nga demaskimi i manipulimeve me vendbanime dhe listat e votuesve, sot kam pranuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta me jetë nga A.M., militant i LDK-së, i cili është gjithashtu zyrtar komunal”, ka shkruar Kuçi në Facebook.
Ai ka theksuar se i ka injoruar kërcënimet gjatë fushatës, por se tani është detyruar t’i paraqesë në organet kompetente.
“Ata që mashtruan e shpifën, që blenë vota me shuma të mëdha dhe kontrabanduan votues nga komuna të tjera përmes ndërrimit të vendbanimeve, tani, pasi janë zbuluar dhe ballafaquar me fakte e dëshmi, po përpiqen ta heshtin të vërtetën me kërcënime e presione. Kjo është fytyra e një kaste politike që, për pushtet, nuk njeh kufij moralë, ligjorë, e as njerëzorë. Por dua t’i siguroj të gjithë se as nuk frikësohem, as nuk zbrapsem. Me kërcënime të tilla jam përballur edhe nga regjimi i atëhershëm, por as atëherë nuk jam përkulur dhe as sot nuk do të përkulem”, ka shtuar ai.









