Presidenti amerikan, Donald Trump, hezitoi të japë një përgjigje të prerë kur u pyet nëse do të dërgojë raketat Tomahawk në Ukrainë. Kurse presidenti ukrainas, Vladymyr Zelensky tha se mund të ofrojnë dronë në këmbim të këtyre raketave. Por Trump nuk ishte entuziast. Por si mund ta ndryshojnë situatën e luftës në Ukrainë?
Sa i përket fuqisë ushtarake të Ukrainës, raketat Tomahawk ka të ngjarë të mos ndryshojnë shumë për vendin e shkatërruar nga lufta, thotë Dr. Sidharth Kaushal, një bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
“Aftësia për të goditur objektivat në thellësi mund të jetë si ushtarakisht, ashtu edhe ekonomikisht, shkatërruese, por në fund të fundit nuk do ta ndryshojë rrënjësisht situatën në vijën e frontit,” thotë Kaushal.
Ekziston një numër i kufizuar i lëshuesve tokësorë për raketat Tomahawk, dhe SHBA-të kanë vetëm një numër të vogël raketash për t’i ofruar Ukrainës.
Edhe për shkak se një numër i konsiderueshëm raketash Tomahawk ka të ngjarë të rrëzohen, SHBA-të ndoshta nuk do t’i jepnin Ukrainës variantin më të fundit të Bllokut V për shkak të rrezikut të kompromisit, shton Kaushal.
Por në kuptimin më të gjerë strategjik, blerja e mundshme e Tomahawk-ëve nga Ukraina ka më shumë të ngjarë të ndryshojë situatën, thotë Kaushal.
“Rusia prej kohësh i ka parë raketat Tomahawk me bazë tokësore pranë kufijve të saj si një kërcënim të madh, diçka që pjesërisht shpjegon rezervat e saj të thella në lidhje me mbrojtjen raketore të NATO-s”, shton Kaushal.
Për më tepër, Kaushal thotë: “Rusia e sheh posedimin ukrainas të Tomahawk jo përmes lenteve të luftës në Ukrainë në vetvete, por më tepër përmes prizmit të ekuilibrit më të gjerë strategjik”.
“Ato mund të kenë një rëndësi krejtësisht të ndryshme pasi Rusia do t’i shihte ato jo si një arsenal të vogël ukrainas, por si një element të vendosur përpara të një aftësie shumë më të madhe sulmuese të SHBA-së”.
Dhe kjo kërcënon ta nxisë Rusinë të përshkallëzojë qëndrimin e saj ndaj vendeve të NATO-s.








