Të premten ka ndodhur një tentimvrasje në qytetin e Pejës. Gazeta ka raportuar se një person ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave të tjerë. Deri tani dihet që të dy personat janë duke u trajtuar në Spitalin e Pejës.
I dyshuar për tentimvrasje është Mahmut Hoxhaj. Ndërsa viktimat janë Alfred Uka, punëtor në Komunën e Pejës dhe Afrim Gashi.
Detaje ekskluzive, si ndodhi rasti?
Pas hetimeve, policia ka gjetur dy kallashnikovë që janë përdorur në rastin e sotëm nga i dyshuari, si dhe në shtëpinë e tij janë sekuestruar edhe dy armë të shkurta – revolverë – dhe mbi 70 fishekë.
Motivi i këtij sulmi është hakmarrja.
Personat që kanë qenë në shënjestër të sulmit nga i dyshuari nuk janë ata që në fakt u sulmuan. Sipas burimeve, cak kanë qenë tre persona të tjerë, të cilët janë liruar nga paraburgimi. Ata, vite më parë, ishin arrestuar nën akuzën se kanë vrarë një anëtar të familjes së të dyshuarit.
Pasi i dyshuari ka kuptuar se ata po lirohen nga paraburgimi, ai ka vendosur të marrë hak.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi, tha se rasti ka ndodhur afër Gjykatës dhe se i dyshuari është arrestuar.
“Një person ka gjuajtur me armë zjarri afër gjykatës. Nga të shtënat e armës se zjarrit janë lënduar rëndë dy persona të cilët sipas informatave janë në gjendje të rëndë. Policia e Kosovës ka qenë efikase ku menjëherë në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar. Po ashtu, Prokurori i Krimeve të Renda dhe Drejtori i Drejtorise Rajonale ne Peje, gjitha njesitet relevante. Aktualisht po kryhen veprimet hetimore në vendin e ngjarjes nga njësitet relevante. Dyshimet janë se me dy armë zjarri janë qelluar viktimat nga personi i dyshuar”, tha Nikqi.
I dyshuar për tentimvrasje është Mahmut Hoxhaj.
Pak kohë pas aktit, i dyshuari është arrestuar nga Policia dhe, me urdhër të Prokurorisë, është dërguar në mbajtje për 48 orë.









