Ahmeti: Zanafilla e Speciales në raportime trilluese ruso-serbe – lirimi i katërshes të vijë pa vonesa

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në protestën që po mbahet pro UÇK-së në Tiranë ka thënë se duhet ngritur zëri për drejtësi, për respekt e për njohje të luftës së drejtë për pragun e shtëpisë, për liri e demokraci, për pavarësi dhe miqësi me Amerikën e Evropën.

Ahmeti tha se zanafilla e Gjykatës Speciale është në raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh që sipas tij, bëri bujë padrejtësisht nëpër botë.

“Këtë çështje inekzistente që doli nga kuzhinat serbe me institucione ruse e hetoi edhe Tribunali i Hagës që konstatoi se nuk është e vërtetë dhe e mbylli hetimin. Kohë më pas, Dick Marty e riaktualizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi ruso-serbe dhe inicioi miratimin e raportit në Këshillin e Evropës që detyroi themelimin e Gjykatës Speciale për të hetuar trafikimin e trilluar të organeve.

“Pra, kjo gjykatë u themelua që të zbardh pretendimet për trafikim organesh me mandat nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo gjykatë u themelua nga vet Kosova me qëllim që t’ia pamundësoj Serbisë që përmes Rusisë ta themelojë atë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ta rikthej UNMIK-un ku Rusia ka të drejtë vetoje”, tha Ahmeti.

Tutje, ai u shpreh se kur u hetua dhe u kuptua se çdo gjë ishte një tillim propagandues për ta nxirë imazhin e luftës për çlirim, Prokuroria nxitoi për ta përpiluar një aktakuzë mu në ditën kur duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.

“Kur u hetua dhe u kuptua se çdo gjë ishte një trillim propagandues për ta nxirë imazhin e luftës tonë çlirimtare, prokuroria nxitoi dhe përpiloi një aktakuzë tjetër mu në ditën kur në Uashington në prezencën e presidentit Trump duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë dhe përfundim të hasmërisë shekullore pa ndarje dhe shkëmbim territoresh.

“Sot jemi dëshmitarë se aktakuza s’ka të bëjë me trafikim organesh por është një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Sot, ata po gjykohen si çlirimtarë, si njerëz që e kanë kapur pushkën për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb”, tha Ahmeti.

Tutje, Ahmeti tha se gjykimi në Hagë shfaqi botërisht që UÇK-ja ishte partnere e NATO-s, Amerikës dhe Evropës, teksa tha se liria e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është e vonuar por duhet të vijë menjëherë dhe pa asnjë vonesë shtesë.

Ai po ashtu tha se ka akoma në mesin e shqiptarëve që pavetëdijshëm po i shërbejnë agjendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndër-shqiptare.

“Dua ta adresoj edhe një shqetësim. Ka akoma në mesin tonë ca që pavetëdijshëm i shërbejnë agjendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndër-shqiptare dhe ndjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm se po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është fushë pjellore për ndasi ndër-shqiptare”.

“Ne duhet të bashkohemi, ashtu siç u bashkuam për Kosovën Republikë, për Shqipërinë demokratike në NATO e BE, për shqiptarët e barabartë në një Maqedoni euroatlantike, për të drejtat e shqiptarëve në Luginë e Mal të Zi. Ashtu duhet të bashkohemi edhe për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e UÇK-së”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit