Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Silvinjo po përjeton moment të “artë”, duke u ndezur “drita e gjelbër” pas fitores me Serbinë për një kualifikim historik në Kupën e Botës, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Pas fitores me Jordaninë në miqësore, seria pa humbje e Silvinjos ka shkuar në 7 ndeshje në të gjitha kompeticionet. E ka zanafillën nga data 24 mars i këtij viti, 3-0 ndaj Andorrës, për të vijuar 0-0 me Serbinë, 1-1 ndaj Letonisë në transfertë, 0-1 miqësorja ndaj Gjibraltarit, 1-0 me Letoninë në “Air Albania”, 0-1 me golin historik të Manaj në Leskovc kundër Serbisë dhe suksesi i “freskët” me Jordaninë 4-2 (miqësore).
Seria më e gjatë e Silvinjos në drejtimin e Shqipërisë pa e njohur disfatën është 8 ndeshje, (qershor – nëntor 2023). Nëse Kombëtarja bën detyrën në Andorra dhe zhvillon një ndeshje të nivelit botëror kundrejt Anglisë, atëherë “timonieri” brazilian do të kapë “Olimpin” te kuqezinjtë, 9 ndeshje pa humbje, diçka e padëgjuar për një trajner që ka drejtuar Shqipërinë.






