Bota e futbollit u trondit dje me ndarjen nga jeta të Dias Tuleu. 19-vjeçari nga Kazakistani po luante një ndeshje të Ligës së Parë vendëse, kur u rrëzua në tokë.
Skuadra e tij, Khan Tengri priste në shtëpi rivalët e Ekibastuz. Për ekipin e Tuleut ishte një fitore e madhe pas shumë javësh vuajtje, por që nuk u festua aspak.
Ishte minuta e 64, kur Tuleu kishte nevojë për ndihmën mjekësore. Doktori i skuadrës sinjalizoi për barrelën, ndërsa më pas sulmuesi u transportua në spital.

Ndeshja mund të quhet edhe e pazakontë. Kjo për shkak se u luajt deri në fund, pavarësisht episodit të rëndë, ndërsa Khan Tengri mori fitoren 4-0. Për vdekjen e 19-vjeçarit akoma nuk bëhet i ditur shkaku.
I lindur në Almat, i riu ishte produkt i moshave të Kairatit. Me Khan Tengrin luante prej prillit të vitit 2024.
Pas lajmit të hidhur, Federata e Futbollit të Kazakistanit reagoi me një deklaratë zyrtare:
“Me trishtim të thellë japim lajmin për ndarjen nga jeta të sulmuesit të ri, Dias Tuleu. Edhe pse në një moshë shumë të re, ai spikaste për pasionin e tij për futbollin dhe talentin e madh. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe klubit të tij”, thuhet në reagimin e federatës kazake.






