Disa hetues të BKH-së, nën drejtimin e SPAK-ut, po gjurmojnë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani, të cilët bashkë me Ermir Ndrejaj dhe Plarent Dervishajn, akuzohen se kanë trafikuar nga Ekuadori për në Evropë dhe Britaninë e Madhe 6 tonë kokainë me vlerë 411 milionë euro.
Hetuesit shqiptarë dhe ata partnerë dyshojnë se dy vëllezërit kanë investuar dhjetëra milionë euro produkt i aktivitetit kriminal në pasuri të paluajtshme si toka, apartamente, dyqane, vila, ndërtime dhe biznese të ndryshme, por edhe në makina luksoze, mjete historike, mjete lundruese, ora lulsoze të markave të ndryshme, lingota ari etj.
Sipas burimeve, hetuesit kanë piketuar një rreth të gjërë personash, të cilët dyshohet se mbulojnë pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme të vëllezëve Hoxhosmani, por edhe Ermir Ndreajt dhe bashkëshortes së tij Elira Barbullushi. Përpos të afërmve nga Durrësi në Tiranë, dy oligarkë dyshohet se kanë pastruar në ndërtim dhjetëra milionë euro të grupit të kokainës, i cili u godit nga SPAK në korrik të këtij viti.
Ka dyshime të forta se një pjesë e parave të pista mund të kenë përfunduar edhe tek ish ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ‘vjehrra’ e Klevis Hoxhosmani. Vajza e zonjës Bregu, Kejda Ajazi është shfaqur me Klevis Hoxhosmanin duke ekspozuar jetën luksoze nga Dubai deri në Monaco.

Në gusht të vitit 2024, vajza e ish-ministres dhe ish-deputetes demokrate Majlinda Bregu u shfaq duke ekspozuar jetën luksoze në Monaco, me sa duket me paratë e kokainës. Ajo postoi një video në rrjetet sociale, duke u shfaqur krah partnerit të saj, me një çantë ‘Hermes Birkin’ në dorë, me një makinë luksoze me vlerë 500 mijë euro.
Në video, Kejda shfaqej e shoqëruar nga i fejuari i saj, i arrestuar nga SPAK, ndërsa shoqëruesit e hotelit nxitojnë t’i hapin derën e makinës luksoze. Nga ana e saj, Kejda nuk del nga makina luksoze pa i hapur derën. Luksi i shfrenuar ka bërë jehonë edhe në mediat britanike, të cilat i kanë bërë thirrje SPAK t’a përfshijë në lupën e hetimit pasuror.

Në kuadër të hetimit pasuror mësohet se po verifikohen edhe transaksionet e një moderatorje L. V., e cila dyshohet se ka përfituar 800 mijë euro në vit për drejtimin e një e një emisioni televiziv, i cili dyshohet se është financuar nga vëllezërit Hoxhosmani. Kompania që mbulon emisionin, dy muaj pas operacionit të SPAK, ka shtuar kapitalin me 16 milionë euro, duke e pesëfishuar.
Pas gjurmimit dhe konstatimit të pasurive, verifikimit të burimeve, SPAK pritet t’i kërkojë GJKKO sekuestrimin e të gjitha pasurive të cilat nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash.









