Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do të marrë pjesë në protestën e sotme në Tiranë, e cila do të organizohet në ora 17:00 në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Shefja e shtetit sot ka udhëtuar në Shqipëri për çështje private dhe jo për të iu bashkangjitur protestës “Unë jam UÇK”.
Disa ditë më herët, presidentja Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të kësaj proteste.
Ajo ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.
“E mbështes këtë protestë e kam mbështetur secilin protestë të cilat thërret për drejtësi, qytetarët dhe shqiptarët nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë. Drejtësi e cila respekton parimet më të lartë të mbrojtës së drejtës së njeriut. Kosova dhe krerët në Hagë pikërisht që kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, janë bërë pesë vite pa asnjë dyshim në drejtësi ndërkombëtarë. Ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë që parimet më të larta të mbrojtës të drejtave të njeriut të respektohen, i jap të drejtë qytetarëve tanë dhe I mbështes sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve”, kishte thënë Osmani.
Sot në mëngjes eskorta e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është parë duke e kaluar kufirin me Shqipërinë.
Kjo ka bërë që të pretendohet se ajo do të jetë pjesë e protestës së sotme.









