Kur George Gannon mori vesh se vajza e tij, Beçie, kishte vdekur në një tragjedi të tmerrshme pushimesh në Shqipëri, ai la gjithçka për të marrë fluturimin e parë.
Por kërkimi i tij për të vërtetën i ka kushtuar pothuajse gjithçka. Babai me zemër të thyer ka shpenzuar rreth 90,000 paund duke pritur përgjigje dhe sot ai pretendon se është rrahur edhe nga burra të lidhur me gangsterin që organizoi udhëtimin fatal të vajzës së tij.
Ai pretendon se si pasojë e dhunës i kanë thyer edhe brinjët, kur persona të lidhur me gangsterin shqiptar, e kanë sulmuar sapo doli nga një restorant. Gannon pretendon se ata e kanë kërcënuar se do ta vrasin nëse nuk largohet nga vendi.
Por George thotë se “nuk do të dorëzohet kurrën e kurrës”, deri sa të marrë drejtësinë që pretendon.
“Nuk më intereson çfarë më ndodh. Asgjë nuk mund të më lëndojë më shumë sesa vdekja e Beçie-t”, shprehet ai.
Beçie, 29 vjeç, vdiq ndërsa ishte në një ekspeditë zhytjeje me të dashurin e saj Robert Kerans, kur ajo u zhyt në ujë në Gjirin e Sarandës për të parë një anije të rrënuar në shtator 2022.
Ajo kishte bërë zhytje në të gjithë botën dhe zgjodhi të rezervonte një udhëtim të organizuar nga Saimir Kushova, i cili mburrej se kishte të vetmen kompani të licensuar nga qeveria shqiptare.
Brenda pak minutash pasi hipën në bord, si Rebeka ashtu edhe Roberti filluan të dyshonin për gjendjen e dobët të pajisjeve me jelekë shpëtimi të vjetër dhe bombola oksigjeni gjysmë të zbrazëta.

Prindërve të Beçie, George, 64 vjeç, dhe Gillian, 63 vjeç, nga Stone, Staffordshire , iu tha se vajza e tyre kishte vdekur.
George fluturoi menjëherë për në Shqipëri, ku iu lut prokurorëve për më shumë se një vit që ta arrestonin Kushovën.
Gjëja tjetër që dëgjoi George ishte se Kushova ishte burgosur për 15 vjet në Norvegji për akuza për drogë.
Ai ishte pjesë e një bande prej gjashtë personash të arrestuar në Husnes në vitin 2023, të cilët u përpoqën të merrnin 150 kg kokainë nga një anije braziliane në brigjet e Norvegjisë.
Beçie ishte një zhytëse me përvojë, e mësuar me thellësi më të mëdha se ato në të cilat u mbyt.
George kujton “kur shkova për herë të parë në Shqipëri pasi vdiq Beçie, e shihja këtë djalë nëpër kafene, duke qeshur me miqtë e tij. Policia shqiptare vazhdonte të më thoshte të largohesha sepse mendonin se isha atje për ta vrarë. U thashë atyre se nuk funksionon kështu drejtësia në Britani dhe se doja të dilja në gjyq. Nuk mund ta besoj që iu dha lirim me kusht. Ai thjesht nuk u paraqit për t’u regjistruar në stacionin e policisë dhe u largua nga vendi. Pastaj zbuluam se ai ishte burgosur në Norvegji . Mënyra se si na kanë trajtuar është e tmerrshme”.
George pretendon se është sulmuar tri herë nga burra të lidhur me Kushovën dhe Qendrën e tij të Zhytjes.
“Herën e parë që sapo kisha dalë nga një restorant dhe këta tre burra po rrinin andej-këndej. Më shtrinë përtokë dhe më goditën me shqelma e grushte. Nuk munda ta kuptoja çfarë po thoshin sepse nuk e flas gjuhën, por dikush afër që fliste anglisht më tha se kishin thënë se ishin miq të Kushovës dhe se më mirë të largohesha nga vendi ose do të më vrisnin. Kam pasur nofullën dhe brinjë të thyera, por refuzoj të largohem që këtej derisa ta shoh të burgosur për atë që i ndodhi vajzës sime”, shprehet ai.

George kaloi dy vjet duke jetuar në vendpushimin bregdetar të Sarandës, ku Beçie vdiq dhe u kthye në shtëpi Krishtlindjet e kaluara, përpara se të thirrej përsëri për një sërë seancash dëgjimore që janë shtyrë.
“Kemi shpenzuar rreth 90,000 paund për të jetuar këtu dhe për fluturimet vajtje-ardhje dhe kemi humbur biznesin.
Vajza ime vdiq dhe askush nuk duket se interesohet fare. Nuk është shaka.
Po flasim për një shtetase britanike, që erdhi në Shqipëri për pushime dhe nuk u kthye më, ndërsa i akuzuari jeton në një burg të rehatshëm në Norvegji për kryerjen e një krimi tjetër të rëndë.
Po përfaqësoj veten në gjykatë sepse nuk kemi më mundësi të paguajmë një avokat.
Nuk e di se sa më shumë mund të duroj me të gjitha këto shtyrje.
Ku është drejtësia në të gjithë këtë? A mund të më tregojë dikush ju lutem? Po e kam të vështirë ta kuptoj.”
Beçie, e cila kishte ndërmarrë ekspedita zhytjeje në të gjithë botën, ishte mësuar të zhytej 30 metra thellë. Kur u mbyt ajo ishte vetëm 7 metra në thellësi.
I dashuri i saj, i cili doli nga uji për shkak të problemeve me veshin, ndërsa tha se ajo ishte rishfaqur “në panik, duke kërkuar ndihmë” para se të vdiste.

Dëshmitarët thanë se Kushova u hodh në ujë për të shpëtuar Beçie-n së bashku me anëtarët e tjerë të grupit. Ata u përpoqën t’i jepnin asaj frymëmarrje të shpejtë, ndërsa Roberti shikonte.
Kushova është akuzuar për shkelje të rregullave të shëndetit dhe sigurisë dhe punësimin e një instruktori zhytjeje jo të kualifikuar.
Familja thotë se është caktuar një datë e re për gjyqin muajin e ardhshëm.
George është ndihmuar në betejën e tij për drejtësi nga gazetari shqiptar Muhamed Veliu, i cili kërkoi përgjigje nga prokurorët.
Ai tha: “George u përball me shumë dyer të mbyllura. Ai shkoi disa herë në zyrën e prokurorit për të kërkuar përditësime mbi hetimin, por askush nuk i përgjigjej. Në shtator të vitit të kaluar arrita t’i them George-it se prokurorët i kishin kërkuar gjykatës gjashtë muaj të tjerë për të vazhduar hetimin”.









