Një grua 29-vjeçare, Pamela Genini nga Bergamo, u vra me thikë të martën mbrëma në lagjen Gorla në periferi të Milanos nga partneri i saj, Gianluca Soncin, 52 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, kur fqinjët dëgjuan britmat e saj për ndihmë dhe njoftuan policinë.
Oficerët e patrullës dhe zjarrfikësit ndërhynë duke thyer derën e apartamentit në katin e tretë, ku gjetën gruan të shtrirë përtokë dhe autorin ende me thikë në dorë.
Sipas dëshmitarëve, autori e kishte tërhequr gruan në tarracë dhe e kishte goditur disa herë me thikë para syve të fqinjëve. Ai vazhdoi sulmin edhe pas mbërritjes së policisë dhe u përpoq të vetëvritej me dy goditje thike në fyt, por mbijetoi dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Niguarda.
Pak para sulmit, Pamela kishte telefonuar ish-partnerin e saj, duke i treguar për frikën nga Soncin, si dhe kishte kontaktuar numrin e urgjencës.
Ish-partneri, i tronditur, i konfirmoi policisë se ajo kishte ndërmend të ndahej nga autori, me të cilin kishte pasur një lidhje njëvjeçare të mbushur me konflikte dhe dhunë psikologjike.
Fqinjët raportuan për sjellje të dhunshme të 52-vjeçarit edhe më parë, ndonëse nuk kishte pasur denoncime zyrtare. Mësohet se disa muaj më parë policia kishte ndërhyrë pas një incidenti të ngjashëm. Gjithashtu, Soncin rezulton me precedent penal për mashtrim, pas një arrestimi në vitin 2010 në kuadër të një hetimi për evazion fiskal me automjete luksoze.
Prokuroria e Milanos ka nisur hetimet, nën drejtimin e prokurores Alessia Menegazzo. Ndërkohë, policia ka sekuestruar automjetin luksoz me të cilin autori kishte ardhur në vendin e ngjarjes.
Pamela Genini, jetonte midis Monte Karlos, Milanos dhe Dubait, mund të shihej herë pas here në shtëpi në provincën e Bergamos në Sant’Omobono, ose te një parukeri në Ponte Giurino, një fshat midis komunave të Berbennos dhe Bedulitës.
Në internet, Pamela Genini e përshkroi veten si një “modele dhe sipërmarrëse e re”. Së bashku me shoqen e saj Elisa Bortolotti, ajo kishte krijuar një linjë bikini : “EP SheLux është një markë Made in Italy”, thuhet në faqen e internetit të markës, “e lindur nga ideja e dy shoqeve shumë krijuese me një pasion për modën dhe detin”.








