Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, duke falënderuar qytetarët që e mbështetën atë dhe subjektin e tij politik.
Në një postim në rrjete sociale, Tahiri ka shprehur mirënjohje për secilin qytetar që votoi për të dhe për LDK-në, duke theksuar se është krenar për fushatën dinjitoze dhe përkushtimin e ekipit të tij.
“Faleminderit secilit prej jush që votuat për mua, për programin tonë dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Edhe pse këtë herë nuk fituam, jam thellësisht krenar për secilin nga ju – për fushatën dinjitoze, për përkushtimin e sinqertë dhe për programin e vetëm politik që në qendër kishte gruan dhe mirëqenien e familjes vushtrriase,” ka shkruar Tahiri.
Ai shtoi se dashuria e tij për qytetin e Vushtrrisë është e pandryshueshme, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
“Dashuria ime për qytetin e zemrës as nuk rritet e as nuk zvogëlohet nga rezultati i një gare – ajo është e përjetshme. LDK në Vushtrri sot është parti stabile, me njerëz të vërtetë, me aktivistë që dhanë çdo energji për këtë betejë. Herët ose vonë, fitorja është e jona,” përfundoi ai.









