Instituti për Studimin e Luftës ( ISW ) lëshon një paralajmërim shqetësues , duke vlerësuar se Rusia kohët e fundit ka intensifikuar sulmet e saj të fshehta dhe të hapura kundër Evropës, me Moskën që ka hyrë në “Fazën Zero”, fazën e informacionit dhe kushtëzimit psikologjik, të fushatës së saj për t’u përgatitur për një luftë të mundshme NATO-Rusi në të ardhmen.
Kjo është hera e parë që ISW ka vëzhguar “burra të vegjël të gjelbër” (një eufemizëm i përdorur nga Kremlini për forcat ushtarake ruse me uniforma të thjeshta pa emblema dalluese) duke vepruar pranë një vendi të NATO-s si pjesë e fushatës “Faza Zero”.
Analistët thonë se gjërat janë në prag të përkeqësimit dhe Rusia mund të sulmojë më shpejt se sa pritej.
Sipas medias së Evropës Lindore Nexta, Kremlini tashmë po fiton përvojë të konsiderueshme në luftën moderne.
Gjithashtu, mund të nisë një agresion të ri pa pritur që ushtria e saj të rikuperohet plotësisht nga lufta në Ukrainë, një shenjë se Moska mund të sulmojë më shpejt nga sa presin agjencitë perëndimore të inteligjencës.
“Burra të vegjël të gjelbër”
Estonia, anëtarja më e prekshme e NATO-s, mbylli një pjesë të kufirit të saj më 10 tetor. Mbyllja erdhi pasi burra të armatosur me rroba civile u shfaqën në anë të rrugës pranë “Saatse Boot “, një segment i çuditshëm prej një kilometri ku një rrugë estoneze kalon shkurtimisht nëpër territorin rus.
Zyrtarët estonezë konfirmuan se shtatë rusët e paidentifikuar “padyshim nuk ishin roje kufitare” dhe paralajmëruan se ata përbënin një “kërcënim”.
Një burim nga rojet kufitare tha se “në fillim, ata po lëviznin përgjatë rrugës, por në një moment thjesht u rreshtuan matanë.”
“Kjo krijoi një situatë të rrezikshme për ne dhe na u desh të merrnim menjëherë vendimin për të mbyllur autostradën që kalonte nëpër Saatse Boot.”
Autoritetet vepruan për të “parandaluar përshkallëzimin”, nga frika se Putini mund ta përdorte vendndodhjen për të kryer provokime kundër civilëve.
Incidenti, shfaqja e parë e “burrave të vegjël të gjelbër” famëkeq të Putinit pranë një kufiri të NATO-s në këtë fushatë, sipas ISW, vjen pas shkeljeve të hapësirës ajrore ruse mbi Estoninë më 7 dhe 19 shtator.
Britania, e cila ka 900 trupa të stacionuara vetëm 180 kilometra nga pika e nxehtë, ngriti në ajër dy avionë të RAF-it për një patrullim 12-orësh të NATO-s pranë hapësirës ajrore ruse.
Lufta hibride e Putinit
Frika nga kufijtë është vetëm një front në ofensivën e zvarritur të Putinit.
Gjatë dy javëve të fundit, Evropa është goditur nga një valë sulmesh hibride, fluturime misterioze me dronë mbi baza ushtarake, ndërhyrje nga avionë luftarakë në qiellin e NATO-s, sabotim i koordinuar dhe sulme kibernetike shkatërruese.
Aeroportet në Danimarkë, Poloni dhe Rumani janë përballur me ndërhyrje të përsëritura me dronë, ndërsa Aeroporti i Kopenhagenit u detyrua të mbyllet dy herë brenda një dite.
Javën e kaluar, një sulm masiv me ransomware paralizoi aeroportet e Heathrow, Brukselit dhe Berlinit, duke i detyruar linjat ajrore të ktheheshin te regjistrimet me stilolaps e letër.
Tre avionë rusë MiG-31 të armatosur me raketa hipersonike Kinzhal shkelën hapësirën ajrore estoneze javën e kaluar, duke bërë rrotullime për gati 12 minuta përpara se të shtyheshin mbrapsht nga avionët F-35 të NATO-s.
Polonia raportoi 19 shkelje të ndara të hapësirës ajrore në dy javë dhe një fluturim të ulët pranë një platforme kritike nafte dhe gazi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u përgjigj me një paralajmërim të ashpër: NATO “nuk duhet të hezitojë” të rrëzojë avionët rusë herën tjetër.
Diplomatët evropianë i kanë thënë privatisht Moskës se ndërhyrjet e mëtejshme “do të përballen me forcë të plotë”.
Ambasadori i Rusisë në Francë, Alexei Meshkov, kërcënoi me një përgjigje të frikshme: “ka shumë avionë të NATO-s që shkelin hapësirën ajrore ruse, por ata nuk qëllohen”.
Ai mohoi çdo përfshirje të Rusisë në sulmet me dronë, duke pretenduar: “Rusia nuk e bën këtë, nuk luan me askënd. Nuk është realisht e jona.”








